Që prejse u lajmërua takimi Trump – Putin në Helsinki të Finlandës, që do të mbahet më 16 korrik, kanë filluar edhe spekulimet se çështja e Kosovës mund të marrë epilog në këtë takim, në variantin që rusët mund të lëshojnë pe për Kosovën nëse SHBA-ja njeh aneksimin e Krimesë nga Putini.
Por, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Hogan Gidley, ka thënë se SHBA-ja nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Moska.
“Nuk i mbështesim aspak përpjekjet e Rusisë për ta aneksuar Krimenë”, u ka thënë Gidley gazetarëve në aeroplanin “Air Force One”, derisa Trump ka fluturuar drejt Ëest Virginias, njofton Reuters, shkruan Gazeta Express.
Trump dhe Putin do të mbajnë për herë të parë një samit pasi raportet ndërmjet dy fuqive nukleare janë përkeqësuar dukshëm.
Për të aranzhuar takimin në Moskë kishte udhëtuar John Bolton, këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump.
Ndërkohë, mediat e afërta me Vuçiqin dje kanë njoftuar se takimi në Helsinki do të shërbejë si një moment për të gjetur zgjidhje për Kosovën.
“Evropa nuk e ka as forcën, as vullnetin, as aftësinë për të shtyrë shqiptarët të bëjnë diçka. Prandaj ideja është që për këtë çështje shumë të rëndësishme për neve, të dakordësohen Putin dhe Trump, pastaj Evropa ta pranojë atë si zgjidhje përfundimtare. Sytë e të gjithëve janë fokusuar në takimin e Helsinkit më 16 korrik”, ka shkruar “Blic” duke u thirrur në burime brenda diplomacisë serbe.
Sipas kësaj gazete, “kjo praktikisht do të thotë se procesi do të shkojë me rrjedhën e kundërt, gjë që nuk do të ishte problem nëse do të arrihej rezultat. Është e qartë se dy presidentët për temën e Kosovës kanë një minutë apo disa fjali, por sipas fjalëve të bashkëbiseduesit tonë të mirë informuar, ajo është e mjaftueshme për të lëvizur nga pika e vdekur dhe të afrohemi bile një hap më afër një zgjidhjeje”.
“Trump dhe Putin do të vendosin për Kosovën deri në fund të vitit. Ky është një shans serioz për të gjetur një zgjidhje. Janë të kota opsionet e ofruara nga BE-ja, kur asnjëra palë nuk pajtohet”, ka shkruar kjo gazetë beogradase.