Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të hënën e 25 prillit vendimin për rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen “Bechetti”.
Sipas Gjykatës, PD-ja ka pretenduar se kërkesa është nënshkruar nga numri i deputetëve të kërkuar nga Kushtetuta për të vënë në lëvizje Gjykatën.
Por, Kushtetuesja njofton se Kuvendi gjatë seancës plenare ka prapësuar se kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, për arsye se pesë, nga 36 deputetët që kanë nënshkruar kërkesën e paraqitur në Gjykatë, nuk e kanë nënshkruar kërkesën e depozituar në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor.
“Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, shkruhet në argumentim.
Gjithashtu u bë me dije se votuan pro gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja.
Kërkesa e Partisë Demokratike
PD-ja e dorëzoi më 25 tetor 2021 padinë për mosngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”.
Sipas tyre, ky vendim i Kuvendit ishte antikushtetues.
Ka qenë vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi nga foltorja e Kuvendit që nuk do të ketë një komision hetimor për çështjen “Becchetti”.
Sipas tij, Gjykata nuk e ka mbyllur ende hetimin dhe kërkesa e Partisë Demokratike për të ngritur një komision hetimor nuk është legjitime.
Ai e ka akuzuar PD-në se ka publikuar paragrafë të vendimit të Gjykatës, i cili është konfidencial.
“Nuk ka asnjë njohje të publikut me këtë vendim, kjo konsiderohet vepër penale”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se publikimi i tyre është bërë me qëllim krijimin e panikut.
Rama ka siguruar publikun se Qeveria shqiptare nuk ka paguar asnjë para në drejtim të Francesco Becchetti-t.
“Në Tiranë ka ende një proces të hapur ku priten të thirren dëshmitarë. Si mundet opozita të mbrojë një të arratisur?”
Kërkesa për ngritjen e komisionit
Ka qenë ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila më 1 tetor bëri me dije se si Grup Parlamentar kishte depozituar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor mbi çështjen “Becchetti”.
Ajo tha se qëllimi qëndron që paratë të mos paguhen nga taksat e qytetarëve, por nga “ata që në të vërtetë shkaktuan dëmin, qeveria”.
Sipas saj, kjo çështje nisi për politikë dhe sot rezulton në tri dëme të mëdha.
Çështja “Agon Channel”
Më 5 prill 2013, një televizion i ri privat u themelua në tregun mediatik shqiptar.
Me një investim gjigant, ra në sy marrja e shumë personazheve mediatike në djepin e Agon Channel.
Zyrtarisht, transmetimet filluan në dhjetor 2014. Mirëpo, ato zgjatën pak. Më pak se një vit.
Në 2015-n, kryeministri Edi Rama ngriti akuzën e pastrimit të parave ndaj biznesmenit italian.
Asetet e tij financiare u ngrinë. Vazhdimësia e Agon Channel-it ishte e pamundur.
Agon Channel u konsiderua si një nga kanalet më të njohura televizive në vend, i cili po bënte çdo ditë hetime kundër qeverisë së Ramës, duke treguar skandale të ndryshme që përfshinin Qeverinë shqiptare.
Çështja “Becchett”-i vazhdon ende të procedohet në gjykatat ndërkombëtare.
Nga ai çast, Becchett-i e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane, më 21 tetor 2015. Kjo e fundit, më 24 prill 2019, e deklaroi fitues atë, duke vendosur një dëmshpërblim prej 110 milionë eurosh, si masë ndaj Shqipërisë.
Ndërkohë, Republika e Shqipërisë e kundërshtoi vendimin e arbitrazhit dhe refuzoi t’i paguante detyrimet.
Nëse do të marrë realisht efekt, kjo do të jetë gjoba më e madhe mbi shtetin shqiptar.