Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat ka zbuluar çfarë është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, të mbledhur mëngjesin e sotëm.

Rama tha para gazetarëve se në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar mbi pasqyrën e 30 qershorit, ndërsa shtoi se nuk do ketë ndryshime në qeveri dhe se këto janë fantazi nga temperaturat e larta.

‘Nuk ka ndryshime në qeveri. Janë fantazi që bëhen edhe nga temperaturat e larta’, tha ai.

“Kemi bërë një diskutim mbi gjithë pasqyrën e 30 qershorit. Kemi parë me kujdes çdo qark, çdo bashki, kemi diskutuar për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku do të flasim për ç’ka është bërë dhe për ç’ka do të bëjmë në vijim pas pushimeve dhe gjëja më e rëndësishme është që kemi hapur një diskutim për ta çuar në një nivel tjetër organizimin tërësor të PS, në funksion të marrëdhënieve më të hapura, më efektive në çdo komunitet”, tha Rama më tej.

Ndërsa i pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu se sa i shqetësuar është ai nga fakti se 11 gjyqtarë dhe prokuror që nuk e kanë kaluar vettingun e kanë çuar çështjen në gjykatën e Strasburgut, Rama u shpreh:

” S’kam asnjë shqetësim, është e drejta e tyre. Reforma në Drejtësi është kali i betejës, së kësaj shumice qeverisëse dhe për sa kohë ajo vazhdon të zbatohet në harmoni të plotë me objektivat e bashkë vendosura, me partnerët tanë, SHBA dhe BE të tjerat janë aspekte dytësore të një procesi që ecën dhe që nuk ndalet më”.

Veritas.com.al/