Nga Ardit Rada

Ka ndodhur një akt i paprecedentë sot në Rinas. Mirë e tha një gazetare në kronikën e një televizioni se kjo s’kish ngjarë as në vitin 1997. Por i vuri ‘bishtin’ gabim se sipas saj s’kish ndodhur as në kohën e diktaturës. Nejse, çështje informacioni se kur Shqipëria kishte shtet, kur pazare e kur pallë arushe.

 Sot, disa kontrollorë të aeroportit ‘Nënë Tereza’ kanë hedhur shatërvanin përpjetë dhe kanë kërcënuar të bllokojnë hyrje-daljet në të vetmin aeroport që ka vendi. Për të gjithë sindikalistët në mendësi që i fanepsen popullit si të djathtë, personeli i një aeroporti s’e ka luksin të bëjë greva. Me ligj e me kanun.

Se fjala bie, dy ditë pasi takuan Ilir Metën, na janë ngritur disa njerëz që s’u pëlqen rroga 2 milionë në muaj, se ishin mësuar më katër. Kush e di, është mota-mo si në ish-televizionin e Becchettit që u çmendën disa dhe thërrisnin “diktatura, diktatura” dhe i mbajtën sytë s’dihet se ku, matanë detit e qiellit, për rrogat.

Gjithësesi dhe me shkurtime, ligji thotë “ik në shtëpi dhe mos ta pafsha më bojën”. Kanuni thotë: “Rri në punë! Na njofto neve që presim trupin e te vdekurit nga X vend në Y avion, se në filan datë do marrësh raport sikur të ka zënë barku. T’na njoftojë Aviacioni, dhe ta sjellim të vdekurin me det, a me rrugë”.

Unë nuk dua t’i hyj rrugës romantike që Belinda Balluku proklamoi sot. S’më intereson nëse vaksinat vijnë sot, apo me 48 ditë vonesë për aq kohë sa në vend kemi gjendje sa të duash vaksina. Edhe për ata që u çmendën në Albcontrol. Ministrja e di fare mire se si ka percipituar situata dhe se si zgjidhet. Jo se është ministre, por për të gjithë qorrët, e ka drejtuar vetë Albcontrolin derisa u bë ministre.

Belinda ka një problem të madh. Ajo foli nga ambientet e aeroportit. Shkoi më pas tek media e parë, e dytë, e tretë… Dhe e mbylli në ministrinë e saj me një deklaratë. Tonet sa erdhën e u ashpërsuan nga ora në orë, jo prej nervozizmit, po me gjasë u dha kohë rebelevë të qiellit.

Por pse humbe kohë dhe s’i re shkurt Belinda? Fjala bie, mund të çmendeshe si Ilir Meta që për zyrat e Sali Shehut u bë palaço duke bërtitur si Agim Qirjaqi te Lulëkuqet mbi Mure: “jashtë, jashtë jashtë”. Saqë u vu në mëdyshje një moment a duhet të ndërhynte Policia, spitali apo e shoqja? Fundja t’i i ke punonjësit e tu, Meta i ka të Veliajt.

Bëhu si Ilir Meta, Belinda! Që për zyrat e rrëmbythjes Sali Shehu, që as partia e tij s’e njihte, doli nga fiqiri si beu te ‘Koncert në vitin 36’. E pse të mos e bëje ti për qiellin e shqiptarëve?/ JavaNews/

VERITAS.COM.AL