Frrok Çupi/

Kryeministri i Armenisë, Serzh Sargsyan, u ul në fronin e kryetarit të qeverisë ditën e martë të javës së kaluar dhe u rrëzua sot, e hënë, pa mbushur shtatë ditët e javës… Zoti Sargysan sapo mbylli ‘epokën’ e dy mandateve si President i Republikës së Armenisë. Kushtetuta e vendit nuk e lejonte për një mandat të tretë, por ky nuk pranoi të zbresë nga pushteti. Brenda pak ditësh, me fuqinë e deputetëve të tij në Parlament dhe të gjykatësve në Kushtetuese, bëri ndryshime në ligjin themelor- ndryshime që i dhanë mundësinë të ndërronte fronin nga kryeministër në President, dhe nga president- kryeministër. Populli armen doli në protesta në rrugë, dhe nga e marta e kaluar- sot, e hënë, rrëzoi kryeministrin që ‘kapi pushtetin’- siç po thuhet në analizat politike.

Tani për shumë kombe bëhet një pyetje e qartë, veçse jo me ethe nacionaliste: “A më mirë me qenë armen, apo turk!?”, për shembull. Jo pse Armenia e Turqia janë në një konflikt historik nacionalist për shkak të ‘Holokaustit otoman” ku u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u torturuan një milionë e gjysëm armenë etnikë. Jo për këtë arsye, por për një arsye të thjeshtë që sipas Aristotelit -secili individ është një qenie politike, pavarësisht nga qenia si gen’’. Por pyetja ‘a më mirë me qenë armen apo turk?’, bëhet sepse armenët sot rrëzuan modelin autokrat e sulltanik si presidenti i Turqisë, Erdogan. Erdogan ka bërë eksperimente me ‘’qenien politike’ të kombit të vet: Një herë president- pastaj ndërro kushtetutën e ngjitu si kryeministër…, pastaj ndërro Kushtetutën e bëhu president… 16 vjet ka që qëndron në krye të Turqisë duke kapur pushtetin dhe dhunuar Kushtetutën. Armenët nuk e pranuan këtë dhunë nga ‘Erdogan’ i tyre dhe e rrëzuan brenda 6 ditësh.

Pyetja e përsëritur: “A më mirë me qenë rus apo armen?”. Rusia dhe Armenia janë dy kombe kufitarë. Por në Rusi, presidenti Putin ndërron Kushtetutën e bëhet kryeministër, pastaj nga kryeministër bëhet president. Ka 25 vjet kështu. Sarsyan i Armenisë u bë kopje e autokratit rus, por kombi i tij e rrëzoi brenda gjashtë ditësh. Tani, a më mirë me “qenë rus, apo armen?”.

… A më mirë me qenë serb apo armen? Në Serbi kryeministri Vuçic bëri një marifet ligjor dhe u bë president…, pastaj do të bëhet kryeministër… Edhe në Malin e Zi kështu bëri Djukanivic, për 25 vjet me radhë…

“A më mirë me qenë armen apo shqiptar?”. E di se patriotët shqiptarë do të thonë “më mirë shqiptar”, dhe kanë të drejtë. Po kemi Edi Ramën dhe Lulzim Bashën që po rrotullohen në pushtet për dekada ‘si ferlikë’- do të thonin në Veri; duke mbajtur njeri tjetrin- si të ndërrosh ligjet… Edi ka 16 vjet në pushtet dhe po kërkon prapë ‘timonin’. Ndërsa Luli ka 11 vjet në pushtet dhe deklarohet se ‘tani nisi epoka Basha’. A më mirë të turpërohemi kështu si komb, apo t’i ngjajmë sjelljes politike të armenëve?- Kjo është pyetja…

‘Apo më mirë me kenë shqiptar?’’  kështu siç jemi nën këtë moçal politik!

Veritas.com.al/