Kur dukej se përplasja mes partive politike u mbyll për reformën në drejtësi më 21 korrik të vitit të kaluar, mosmarrëveshjet kanë dalë sërish në sipërfaqe. Brenda 24 orëve mes LSI, PS dhe Presidencës ka nisur një “luftë me letra”, ku palët indirekt dhe direkt akuzojnë njëra-tjetër për shkelje të Kushtetutës nga OMN (Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar).
Shkak për sherrin e radhës është bërë krijimi i Bordit Drejtues të Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar (OMN) dhe ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). OMN është institucioni i përbërë nga ekspertë të SHBA dhe BE të cilët do të vlerësojnë, por pa të drejtë vendimmarrje, kandidaturat që do të emërohen në institucionet e reja të drejtësisë. OMN u përfshi në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në ligjet e posaçme të reformës si një rast specifik për monitorimin e procesit të Vetingut.
PS, PD dhe LSI ranë dakord që ky mision të kishte rol të rëndësishëm në gjithë procesin e reformës në drejtësi, por në të gjitha rastet rol sugjerues e jo vendimmarrës. Ekspertët e OMN kanë mbërritur prej një jave në Tiranë dhe kanë nisur nga puna për verifikimin e kandidaturave.
Ajo që ka gjetur palët të papërgatitura është krijimi i një strukture të re që quhet Bordi i Menaxhimit të OMN. Sipas ligjeve të reja të reformës, Bordi i Menaxhimit të OMN nuk ekziston si koncept dhe nen. E thënë ndryshe, partitë politike në 21 korrik kur miratuan ndryshimet Kushtetuese nuk kanë votuar për këtë pikë. Krijimi Bordit u bë i ditur vetëm në një letër që Drejtuesja e Misionit të OMN, Genoveva Ruiz Calavera i dërgonte Sekretarit të Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi, ku e informonte mbi strukturën e re.
I pari që ngriti shqetësimin për këtë problem është Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. Në një letër dërguar Presidentit, Kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit, Ministri Vasili shprehej se është e paqartë hapësira ligjore e ngritjes dhe funksionimit të këtij Bordi. Po ashtu, edhe më i pa qartë mbetet objekti i veprimtarisë së kësaj strukture, pasi përbëhet nga persona politiko-diplomatik e jo ekspertë të fushës së drejtësisë siç e shkruan Kushtetuta e ndryshuar në korrik 2016 me 140 vota.
Veç kësaj, Ministri Vasili ngriti dhe një problem flagrant për mënyrën sesi funksion shteti. Në cilësinë e Ministrit ai konfirmon se nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar për krijimin e këtij Bordi, por është informuar nga mediat. Ministri i Drejtësisë është personi që institucionalisht ka përgjegjësi direkte për reformën në drejtësi dhe zbatimin e ligjeve të saj. Të mos informosh Ministrinë e linjës për ngritjen e një institucioni të ri, më shumë se gafë duket një harresë e qëllimshme. Nëse Ministria e Drejtësisë nuk ka informacion, kush është institucioni kushtetues që do mbaj përgjegjësi për reformën?
Edhe me flagrante duket situata me Presidentin Bujar Nishani. Në përgjigje të letrës së dërguar më datën 13 shkurt nga Ministri Petrit Vasili, Presidenti ngre të njëjtat shqetësime për mënyrën e komunikimit institucional. Por veç kësaj, Presidenti si institucioni që mbetet garant i Kushtetutës së vendit thotë se Bordi i Menaxhimit të OMN nuk është përfshirë në asnjë prej ndryshimeve kushtetuese të vitit të kaluar. Dy nga hallkat kryesore të shtetit, Presidenca dhe Ministria e Drejtësisë nuk dinë se për çfarë do të ngrihet një strukturë e re dhe cila është baza ligjore sesi do të funksionojë në shtetin shqiptar kjo strukturë e huaj.
Deri mesditën e djeshme kjo situatë absurde dukej si një lapsus teknik ose keqinterpretim i ligjeve. Por ish-Kryeministri dhe deputeti i PS, Pandeli Majko ka zbardhur qëndrimin e Partisë Socialiste, duke deklaruar se Bordi i Menaxhimit të OMN nuk e shkel Kushtetutën. Ky qëndrim i PS-së konfirmon se të vetmit që janë informuar për këtë strukturë janë Sekretari i Kryeministrisë dhe Partia Socialiste.
Ndërsa Majko reagoi dje për mediat, kreu i Komisionit të Ligjeve dhe një nga hartuesit e reformës në Drejtësi, socialisti Fatmir Xhafaj shkoi edhe më tej. Xhafaj zgjodhi t’i përgjigjet Nishanit dhe Vasilit po me një letër. Por shqetësimi i Xhafajt nuk është Bordit i Menaxhimit, por procedura e ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Kuvendi për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Edhe pse zgjedhja u bë me short dhe deri më sot nuk ka asnjë prokuror apo jurist që të jetë ankuar për procedurën, Xhafaj në letrën e tij thotë se procedura ishte anti-Kushtetuese. Xhafaj shigjetoi direkt Kreprokurorin Ardiatik Llalla për zgjedhjen e emrave dhe procedurën e ndjekur për kandidatët, por indirekt kreu i Komisionit të Ligjeve ka dalë edhe kundër Kreut të Kuvendit, Ilir Meta, i cili e cilësoi procedurën si të ligjshme.
Seria e luftës me letra mes PS dhe LSI ka vijuar edhe gjatë mbrëmjes. Në situatën kur Ministri dhe Presidenti nuk janë informuar për strukturën e re të OMN, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka kërkuar ndërhyrjen e Brukselit. Në një letër dërguar Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, Gjosha kërkon ndërhyrjen direkte të tij, si një prej diplomatëve që u angazhua në arritjen e marrëveshjes së 21 korrikut 2016. Edhe Ministrja Gjosha, si dikaster që mban kontaktet mes misioneve të BE dhe SHBA pranon në letër se nuk ka pasur informacion zyrtar për ngritjen e Bordit të Menaxhimit të OMN. Me qëndrimet e fundit, çështja e Bordit të OMN nuk është vetëm një problem moskomunikimi dhe interpretimi ligjore nga PS-LSI, por edhe një kërcënim real për konsensusin e arritur për reformën në drejtësi.
Ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vlahutin tha se tani që po fillon Vetingu do fillojnë kundërshtimet, bile dhe kërcënimet. E saktë ajo çka thotë ambasadorja, porse Romana Vlahutin duhet të ishte e barazlarguar nga palët në rastin e reformës në drejtësi, zbatimit të Vetingut dhe kështu do të ishte e besueshme, bile e duartrokitur. Por kur ha drekë me kryeministrin Rama dhe sulmon palët e tjera të procesit tregon se ka interesa personale në formë hakmarrje, ndaj e komprementon ndërhyrjen e saj. Ambasadori amerikan Lu tregohet i barazlarguar dhe diplomat, duke e rikthyer besueshmërinë e vënë në pikëpyetje para pak javësh.
Koha Jonë/ Veritas.com.al/