ITALI- Një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane ka çuar në ekzekutimin e 10 masave të sigurisë dhe sekuestrimin e rreth 1 milion eurove.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se aksioni është rezultat i një pune të gjatë hetimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet italiane.
“Kënaqësi për mua që jam sot në Bari për të komunikuar rezultatet hetimore të operacionit të përbashkët, midis prokurorisë së përgjithshme dhe antimafies së Barit. Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të përbashkët. Në vijim të hetimeve në lidhje me këtë çështje janë caktuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave janë dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Tiranë. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar në total 1 milionë euro para cash dhe nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së Prokurorisë janë sekuestruar pasuri të tjera, Shoqëri tregtare, automjete, llogari bankare, që dyshohet se burojnë nga aktivitetet kriminale. Ajo që theksoj është ky rezultat dhe kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh por është vazhdim i një historiku të disa skuadrave me rezultate konkrete hetimore. Theksoj operacionet e mëparshme ku janë dënuar rreth 170 persona dhe për mbi 100 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme”, tha kreu i SPAK Klodian Braho.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se do të thellojnë bashkëpunimin me partnerët italianë, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale.
“SPAK do të vijojë të mbetet i gatshëm që të forcojë më tej bashkëpunimin me Prokurorinë antimafia të Barit dhe me Prokurori të tjera në Itali”, tha ai.
Komente