L. Skiro

Nuk është aspak çudi, opozita në Shqipëri për herë të dytë i drejtohet Europës që të qartësojë situatën në vend. Hera e parë ishte opozita e sapo krijuar anti-komuniste në vitin 1990. Ajo i kërkoi Perëndimit marrëveshjen për të mundësuar largimin e kastës komuniste nga pushteti dhe për çvlerësimin e ligjeve që dënojnë veprimtarinë opozitare anti- komuniste.

Hera e dytë është kjo. Opozita sot, me anë të një letre dërguar ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Cutillo, i kërkon këtij informacionin e shërbimeve të policisë sekrete mbi bimën narkotike të mbjellë në të gjithë vendin.

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, deputeti i PD, Flamur Noka, i ka kërkuar ambasadorit italian në Tiranë informacion mbi të dhënat e monitorimit të sipërfaqeve të mbjella me drogë nga autoritetet italiane. Noka thotë se të dhënat tregojnë për një përhapje dramatike, por qeveria i fsheh ato.

Sipas opozitës dhe informacioneve në media, situata në vend është shumë e rëndë porsa i përket kultivimit të drogës. Nuk ka asnjë rreth e rajon, rrallë gjen parcela nëpër pyje, ku të mos jetë mbjellë drogë. Efektet më tragjike të afërta të kultivimit të drogës janë konfliktet dhe vrasjet mes njerëzve. Më vonë priten pasoja shumë më të rënda. Vetë qeveria është pikasur si elementi që ka marrë nën kujdestari kultivimin dhe shitjen e drogës, për interesat e qeveritarëve dhe të mafiozëve.

Të dhënat mbi kultivimin dhe trafikimin e drogës i ka fshehur dhe i fsheh Qeveria, sipas eksponentëve të Partisë Demokratike në opozitë.

Opozita i kërkon Italisë, si vendi i parë fqinj në drejtim të Perëndimit, që të vërë në shërbim të monitorimit të drogës policinë italiane Guardia di Financa.

Flamur Noka, në emër të PD shkruan:

“Nisur nga të dhënat dramatike të përhapjes së drogës, kultivimit e trafikimit të saj në gjithë territorin e vendit, dhe sidomos nga informacionet se ky fenomen menaxhohet nga drejtuesit e Edi Ramës në Policinë e Shtetit, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Flamur Noka, i ka dërguar një letër ambasadorit Italian në Shqipëri, z. Cutillo, ku i kërkon që komisioni i sigurisë të vihet në dijeni të raportit te monitorimit nga ajri nga Guardia di Financa”.

Opozita nuk shikon asnjë dritare tjetër nga ku mund të paraqitet realiteti mbi tragjedinë e drogës në vend. Besimi te institucionet perëndimore ka mbetur akoma gjallë.

 

 

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë iu drejtua ambasadorit Italian me një kërkesë me 19 prill të këtij viti, për të kryer sa më shpejt fotografimin dhe filmimin e parcelave me drogë nga ajri me anë të avionëve të Guardia di Financa, sipas marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare të vitit 2011.