Çështja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë vijon të jetë pika më e nxehtë e politikës shqiptare, pasi raundi i parë i votimit nuk pa asnjë emër të propozuar nga mazhoranca apo opozita parlamentare.
 Me votimin e parë “të djegur”, tashmë sytë janë për nga seanca e dytë plenare.

Mbi këtë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka propozuar 23 majin, si të fundit për datën e votimit të raundit të dytë.

 

Mirëpo, në vend që aspekti kryesor të ishte pikërisht ky i zhvillimit të seancës plenare të radhës për Presidentin, zëri kryesor është zhvendosur për nga mosmarrëveshjet brenda opozitës, si dhe për akuzat që ata kanë kundrejt shumicës.

 

Nga njëra anë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e cilësoi procesin si një “farsë”, pasi mazhoranca i ka numrat vetë për ta zgjedhur kreun e shtetit dhe po e mënjanon e bojkoton opozitën nga procesi.

Nga ana tjetër, ishte kreu i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndrysim, Fatmir Mediu, ai i cili i bëri thirrje pjesës tjetër të opozitës, që të ulej në tryezën e bisedimeve me shumicën parlamentare.

Megjithatë, një thirrje, ai ua bëri edhe socialistëve, duke u thënë se presidenti duhet t’i takonte opozitës.

Balla, nga ana tjetër, e ka bërë të qartë se nuk ka pasur emra të propozuar nga palët dhe i ftoi deputetët opozitarë të bëhen pjesë e bisedave.

Po të njëjtën gjë e ka ravijëzuar edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila është pjesë e grupit negociator të PS-së për Presidentin.

Ajo i ka ftuar deputetët e opozitës të propozojnë emra konkretë dhe t’i lënë mënjanë retorikat politike.

Data e fundit për dorëzimin e kandidaturave, ndërkaq, do të jetë 22 maji, në orën 16:00.