Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje pas shkresës së Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili një ditë më parë kërkoi informacion mbi emrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama si pjesë e kabinetit qeveritar
Prokuroria e Përgjithshme ka marrë informacion nga të gjitha Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.
Pas marrjes së informacionit, gazetarja Lala mëson se Organi i Akuzës i është përgjigjur Kreut të Shtetit, duke i thënë se asnjë emër i propozuar nga Rama për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar nuk rezulton të jetë proceduar penalisht.
Një ditë më parë, Presidenti Meta iu drejtua me një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme, ku kërkohej t’i vihej në dispozicion për çdo kandidat të propozuar, lidhur me procese hetimore apo penale që janë nisur ndaj tyre. Ndër të tjera në shkresë theksohet, që përgjigjet e kërkuara të kthehen sa më shpejt, në mënyrë që Presidenti të shprehet për emërimet brenda 7 ditëve.