Pasi mbledhja e së Premtes së kaluar nuk u zhvillua, OSBE/ODIHR-i ka një tjetër reagim për Komisionin e Reformës Zgjedhore në vend. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, u bëhet thirrje partive të angazhohen për konsultime të hapura në muajt e ardhshëm.

Drejtori i misionit Matteo Mecacci thekson po ashtu se kjo reformë është jetike për procesin zgjedhor dhe si e tillë kërkon vendosjen e objektivave dhe zbatimin e rekomandimeve nga ana e forcave politike.

“Nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv në një proces që tashmë ka shërbyer si shembull i praktikës së mirë për rajonin dhe më gjerë. Ne mirëpresim vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike deri tani përpara zgjedhjeve. I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat që rezultojnë të përmirësojnë procesin zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve. Është e një rëndësie vendimtare që të vendosen objektiva praktike dhe realisht të arritshme që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Prioritetet kryesore përfshijnë parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjen e votave, sigurimin e fshehtësisë së votës, mbrojtjen e lirisë së medias dhe rritjen e efektivitetit të administratës zgjedhore.

Pas diskutimeve të fundit mbi këtë temë, ODIHR ka marrë një ftesë nga parlamenti shqiptar për të mbështetur autoritetet kombëtare dhe ka ofruar mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës. Metodologjia afatgjatë e ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve përfshin një vlerësim të zbatimit të rekomandimeve të mëparshme. Misioni më i fundit i vëzhgimit i ODIHR-it në Shqipëri në vitin 2023 vlerësoi vazhdimin e rekomandimeve të Zyrës pas zgjedhjeve vendore 2019 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2021. Raportet arritën në përfundimin se tre rekomandime ishin zbatuar plotësisht, shtatë të tjera kryesisht dhe 16 të zbatuara pjesërisht, ndërsa të tjerat mbeten ende për t’u adresuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.