Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Ambasadorja Urszula Gacek than ë një intervistë për DW se këto zgjedhje treguan se besimi në sistemin zgjedhor ka filluar të rikthehet.
Gacek veçoi dy sfida kryesore me të cilat hasi këtë radhë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë: e para pandemia e Covid 19, dhe sfida e dytë, numri i madh të amendimeve dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u bënë shumë vonë, në tetorin e kaluar. Ndërkohë, theksoi dhe një shqetësim tjetër.
“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit -blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës“.
Ajo theksoi sakaq se është fakt që partia në pushtet ka pasur avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t’i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, pasi ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t’i shikojmë në detaje, u shpreh Gacek.
VERITAS.COM.AL