Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi gjatë Ditës së Fitores se vendimi për ndërhyrjen e trupave ruse në territorin historik të Donbas-it ishte i duhuri.
“Ishte i vetmi vendim korrekt dhe në kohë që duhej marrë”, nënvizoi presidenti i Federatës Ruse.
Kolonat e automjeteve ushtarake hynë më herët në qendër të Moskës dhe kaluan nëpër rrugën Tverskaya përpara paradës së Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq të hënën e 9 maj.
Parada përfshiu mbi 11 mijë trupa, më shumë se 131 automjete luftarake dhe 77 avionë dhe helikopterë, duke shënuar 77-vjetorin e fitores së Ushtrisë së Kuqe ndaj Gjermanisë naziste.
“Rusia gjithmonë ka mbështetur krijimin e një sistemi të barabartë sigurie. Rusia i kërkoi Perëndimit të kërkonte zgjidhje dhe kompromise, por vendet e NATO-s nuk donin të dëgjonin për këtë”, shtoi më tej presidenti rus.
Mes mesazheve të tij për Rusinë, ishte dhe fakti që “kurrë nuk do të heqim dorë nga dashuria për atdheun” dhe vlerat e tjera “që Perëndimi duket se ka vendosur t’i shfuqizojë”.
Veteranët amerikanë, shtoi ai, u penguan efektivisht të vinin në Rusi për të marrë pjesë në paradë.
Putin shpalli një minutë heshtje, jo vetëm për viktimat e Luftës së Madhe Patriotike, por edhe për ata që vdiqën në Odesa në vitin 2014, banorët e Donbas-it dhe pjesëmarrësit në “operacionin special”.
Presidenti i Federatës Ruse u shpreh se vdekja e çdo ushtari është një humbje e madhe. Për këtë ai i siguroi ata se familjeve të tyre do t’u ofrohet e gjithë ndihma e mundshme.
“Lavdi Forcave të Armatosura trima! Rroftë Rusia! Për fitore! Urra!”, ravijëzoi në përmbyllje të fjalës së tij Putin.
Pra, nuk pati shpallje lufte apo mobilizim të përgjithshëm, të paktën gjatë paradës së Fitores nga ana e presidentit rus.
Duhet të theksohet se pjesa ajrore e paradës së Fitores në Moskë nuk u zhvillua për shkak të kushteve atmosferike, tha për RIA Novosti – Dmitry Peskov.