Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë destabilitet dhe të pengojë integrimin e rajonit…Paralajmërimi vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Për Radion Evropa e lirë, një zëdhënës i DASH tha se për shkak të një kërcënimi të tillë, Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të avancuar me reformat që do të reduktonin ndikimin malinj të Moskës.
“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve. Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë”.
Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA vazhdon të jetë e shqetësuar se tensionet lokale mund të përshkallëzohen në tensione serioze politike në rajon.
Njohës të zhvillimeve në Ballkan, po përsërisin gjithmonë e më shpesh se Moska, synon të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga lufta e saj në Ukrainë, dhe fuqitë e mëdha duhet t’i dërgojnë mesazh të qartë Serbisë se nëse vepron në veri të Kosovës, NATO-ja do të reagojë.
Po ashtu, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Azi, James O’Brien, e cilësoi veriun e Kosovës dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës si rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.