Sot dhe nesër në Berlin të Gjermanisë do të mbahet Kongresi i radhës i Partive Europiane Socialiste. E ftuar në këtë kongres nga Shqipëria është Partia Socialiste, ndërkohë që nuk është ftuar Partia e Lirisë e Ilir Metës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka zbardhur çështjet e diskutimit të Kongresit të Partive Socialiste Europiane (PES).

Balla shkruan se forcat politike progresiste nga mbarë Europa mblidhen sot sëbashku të diskutojnë sfidat me të cilat përballet Europa: inflacioni i luftës dhe çmimet e larta të energjisë, degradimi i sigurisë ndërkombëtare, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale.

Kujtojmë se Aleanca me Sali Berishën, i ka mbyllur një derë Ilir Metës në arenën ndërkombëtare. Për shkak të koalicionit dhe partneritetit me Sali Berishën, një njeri i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe, ai nuk është ftuar në Kongresi i Partive Europiane Socialiste. Report Tv ka siguruar e-malin që PES i ka dërguar Ilir Metës. Referuar përgjigjes, mund të kuptohet se ka qenë vetë Meta që ka kërkuar të jetë pjesë e këtij Kongresi, mirëpo, kjo nuk i është aprovuar. Atij i bëhet e qartë se pikërisht për këtë vendim të vështirë siç e kanë quajtur, është pikërisht aleanca politike, referuar këtu bashkëpunimit të tij me Berishën.

Partia e Socialistëve Evropianë (PES) bashkon Partitë Socialiste, Socialdemokrate dhe Partitë e Punës të BE-së, bashkë me vendet fqinje të Unionit, si Britania e Madhe apo Norvegjia por të ftuar janë edhe partitë e majta të Ballkanit. PES është platforma e përbashkët, ku anëtarët bashkohen: aktivistë, drejtues partish, sekretarë të përgjithshëm, liderë, organizata rinore, deputetë, eurodeputetë, komisionerë evropianë, ministra dhe kryeministra të partive socialiste, socialdemokrate, të punës dhe demokratike dhe organizata brenda Evropës.