-Presidenti i zgjedhur është marrë sërish publikisht me një gjigand industrial duke kërcënuar se do të hakmarret nëse nuk prodhojnë në Shtetet e Bashkuara-.

Presidenti Donald Trump vazhdon ofensivën e tij kundër gjigandëve të industrisë për t’i  detyruar të mos dalin jashtë kufijve të SHBA-së.

Presidenti i zgjedhur ka shprehur sërish mënyrën e tij të veçantë të të bërit politikë përmes një mesazhi të egër në Tweeter. Në shënjestrën e tij këtë herë, Toyota, numri një në botë i automobilave, dhe ndërtimi në Meksikë i makinave të destinuar për tregun e SHBA-së. “NO WAY! Ndërtoni fabrika në Shtetet e Bashkuara ose paguani taksa të konsiderueshme në kufi”, ka shkruar në Tweeter Donald Trump, pasi kishte lëshuar më parë një kërcënim të ngjashëm të martën kundër kompanisë amerikane General Motors.

Në mesazhin e tij, presidenti i ardhshëm amerikan bën një ngatërresë të vogël duke iu referuar një “fabrike të re” që grupi japonez ka në plan të ndërtojë në “Baja, Meksikë”, ndërkohë që ajo ekziston tashmë që nga viti 2002. Toyota, në fakt, po e ndërton një fabrikë, por në një rajon tjetër të Meksikës, në Bajio. Por kryesorja qëndron tjetërkund: Donald Trump, i cili i prishi krejtësisht të gjitha rregullat e lojës gjatë fushatës së tij zgjedhore vazhdon të hedhë në erë zakonet politike duke u marrë publikisht me sipërmarrjet e mëdha, një praktikë deri tani e rrallë në Shtetet e Bashkuara. Të martën, presidenti i ardhshëm i bëri thirrje në Twitter edhe General Motors, prodhuesi i parë amerikan, për t’i ndërtuar në SHBA makinat e destinuara për tregun amerikan, përndryshe do të paguajë një “taksë të rëndë doganore”.

I befasuar, grupi i Detroit-it lëshoi menjëherë një deklaratë ku siguronte se vetëm një pjesë shumë e vogël e prodhimeve meksikane do të hyjë në tregun e SHBA-së. I kritikuar gjithashtu ashpër nga Donald Trump për zhvendosjen e prodhimit jashtë SHBA-së, grupi amerikan Ford hoqi dorë të martën nga ndërtimi i një fabrike në Meksikë, për të investuar në një fabrikë ekzistuese në Michigan ku do të krijohen 700 vende pune. Ende pa e marrë detyrën, Donald Trump po përpiqet t’i bindë prodhuesit e makinave të heqin dorë nga përdorimi i marrëveshjes së shkëmbimit të lirë NAFTA (North American Free Trade Agreement) që u mundëson atyre, në kushte të caktuara dhe pa tarifa doganore, të eksportojnë në Shtetet e Bashkuara mallra të prodhuara në Meksikë.

“Amerika së pari”

Donald Trump e ka sulmuar pa reshtur gjatë fushatës, këtë marrëveshje të tregtisë së lirë e nënshkruar në vitin 1994, në të cilën është partnere edhe Kanadaja. Ai ka premtuar ta rinegociojë ose ta shfuqizojë plotësisht. “Ne jemi pragmatikë, do të përshtatemi me çdo situatë, me kusht që rregulli të jetë i njëjtë për të gjithë”, ka deklaruar të enjten, kreu i aleancës Renault-Nissan, Carlos Ghosn, i pyetur gjatë një konferencë për shtyp mbi rrezikun e mbylljeve të kufijve të SHBA-së. “Asgjë nuk ka ndodhur deri tani”, vuri në dukje megjithatë ai. “Ajo që kam kuptuar nga programi i Presidentit të zgjedhur, janë dy gjëra: Amerika së pari, dhe vendet e punës në Shtetet e Bashkuara. […] Nuk ka asgjë që të bjerë ndesh me atë që ne bëjmë”.

Sektori i automobilave, që do të mblidhet javën e ardhshme në sallonin e automobilave në Detroit auto, duket se është shënjestra e preferuar e Donald Trumpit, por jo i vetmi që po vuan sulmet e tij. Ai është marrë në dhjetor edhe me grupin amerikan të mbrojtjes Lockheed Martin për shkak të kostos së avionëve të saj luftarakë F-35, e cila ishte “jashtë kontrollit” edhe me prodhuesin amerikan të avionëve Boeing, i akuzuar se po ndërtonte një avion presidencial tepër të shtrenjtë. “Çmimi është stratosferik, më shumë se katër miliardë dollarë. Anullojeni porosinë!” shkroi ai në Tweeter. Këto qortime kanë një efekt të drejtpërdrejtë: rënie të aksioneve në bursë dhe humbjen e miliona dollarëve të kapitalizimit të tregut. Në bursën e Tokios, sot, e premte 6 janar, Toyota e mbylli me rënie deri në 1,68% dhe Nissani, nën 2.20%.

Me këtë sulm të ri, Donald Trump kalon një nivel të ri duke sulmuar për herë të parë një grup të huaj, duke treguar se zemërimi i tij nuk do të njohë kufij. Ofensiva është gjithësesi dyfish ironike për gjigandin japonez. Sipas The Wall Street Journal, Presidenti i Toyota-s sapo kish shprehur afërsinë e tij me presidentin e zgjedhur amerikan. “Nëse po shikoni në planin afatgjatë, ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, deklaroi Akio Toyoda para gazetarëve. Së fundi, fabrika që grupi po ndërton në Meksikë nuk do të ketë asnjë ndikim në punësimin në Shtetet e Bashkuara, që Donald Trump e reklamon si një prioritet.

Në raportin e tij të fundit financiar, grupi japonez siguronte në fakt se prodhimi i modelit Corolla i referuar nga Donald Trump, do të transferohet nga Kanadaja në Meksikë. “Vëllimi i prodhimit apo punësimit në Shtetet e Bashkuara nuk do të ulet për shkak të fabrikës tonë të re” meksikane, u përgjigj grupi japonez, duke siguruar se është pjesë “e strukturës shoqërore” amerikane për gati 60 vjet.

/Veritas.com.al/

 

Donald J. Trump 

✔@realDonaldTrump

Toyota Motor said will build a new plant in Baja, Mexico, to build Corolla cars for U.S. NO WAY! Build plant in U.S. or pay big border tax.

19:14 – 5 Janv 2017
85 33085 330 Likes                                                                        26 47426 474 Share