Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke rikujtuar deklaratën e tij të 20 marsit se do të vetësakrifikohet si Salvador Allende ‘për hir të popullit’, sot Ilir Meta ka paraqitur anën e tij jo mortore, duke thënë se mund të ofrojë dorëheqjen, përsëri ‘për hir të popullit’.

“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.

Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, – thekson Presidenti Meta në Deklaratë.

Më 20 Mars nga Pogradeci ai thoshte: “I kam dhënë argumentet për krizën. Kriza është e qëllimshme. Po cenohet rendi kushtetues. Veprimi i opozitës i dënueshëm dhe i papranueshëm. Kuvendi ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 që nuk dogjën mandatet. Mund të thirren 1 milion shqiptarë mbi 18 vjeç për të miratuar reformat, por kjo nuk e zgjidh krizën. Kriza nuk zgjidhet as me retorikë as me metoda policore, por me dialog. Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Allende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake. Përpjekje serioze. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për Shqipërinë. Si president kam bërë çdo përpjekje për të parandaluar krizën”.

Veritas.com.al/