Frrok Çupi/

Më duket se deri tani, të gjithë politikanët si në Prishtinë edhe në Tiranë, po bëjnë thjesht hartimet e rastit pasi u vra lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ose të gjithë  nuk janë ulur akoma të mendohen, ose vërtet të gjithë nuk janë inteligjentë; ose nuk kanë nuhatje politike…

Pyetja më e afërt që mund të shtrohet në këtë rast është kjo: A do të mund vazhdojë agjenda e politikës sot siç ishte dje?; ose nesër siç është sot? Kjo është çështja. Sot ka ndodhur një ngjarje; në Mitrovicë të Kosovës është vrarë Franz Ferdinandi i vitit 1814.

Çfarë ka pas?

Çështja e parë: A do të protestojë Opozita (PD+LSI) më datë 27 Janar!?

Kjo pyetje nuk i përket vetëm agjendës së Opozitës, por në përgjithësi lirisë politike në vend. Madje më gjerë: Lirisë politike në rajon…  Liria politike e do që politika të jetë e lirë nga nacionalizmat boshe, nga ‘patriotizmat’ alias batakçillëk, nga abuzimi dhe nga rreziqet e vulgut.

Atëherë kthehemi te liria e Opozitës për të protestuar në këtë klimë. Do të shikojmë rrugës, por mendoj se do të jetë shumë e vështirë për të protestuar. Opozita do të ndodhet nën trysninë e vulgut që do të thotë: “Ça bëjnë këta?, Ballkani digjet e këta…”. Nën trysninë e patriotizmit maxhoritar që do të ngrejë slogane si “Opozitë antikombëtare. Po i bashkohet protestës serbe kundër kombit tonë për vrasjen e Ivanoviç”. Nën trysninë brenda vetes që do të thotë: “A nuk kishim gjithë këtë kohë për protestë? Tani e gjetëm kur mund të na lidhin pas qerres serbe?” .

Dhe agjenda politike nuk do të jetë e lirë… Në fillim të vitit 1991, kur po çelte demokracia kundër diktaturës, plasën protestat në minierën e Stari Terg-ut në Jugosllavi, njëkohësisht  edhe protestat e minatorëve të Valiasit në Tiranë. Një titull i thjeshtë në gazetën RD: “Valiasi, si Stari Terg” ngriti më këmbë gjithë ‘patriotët’ pro- diktaturës.

Me këtë rast do të zbuten zërat kundër korrupsionit, zërat për “peshqit e mëdhenj’, për prokuroren, për ‘Tahirin’ dhe për Reformën në Drejtësi. Çdo dështim e gjen një argument.

Çështja e dytë: Pse u zgjodh Ivanoviç, dhe pse u zgjodh Mitrovica për vrasjen?

Sapo t’i hedhësh një sy ‘skenës’ të shfaqet një neutralitet i pa arritshëm, tamam klimë vrasjeje politike. Edhe vetë Ivanoviç, si strateg politike, do të kishte nënshkruar vrasjen e tij po ta dinte perfeksionin e planifikimit:

Ky vetë- një politikan serb i moderuar; i rritur në Gjakovë, edhe në konferenca publike fliste shqip; i dashur për shqiptarët por i dashur edhe për shqiptarët; pastaj i urryer nga serbët dhe i urryer nga shqiptarët; mik i afërt i kryeministrit serb të vrarë Xhinxhiç. Vendi i vrasjes u zgjodh ‘Bethlehemi’ i Ballkanit në konflikt, aty ku kishte lindur dhe ku ishte varrosur “Jezusi i paqes mes shqiptarëve dhe serbëve”. Vijave të kuqe në zonat e nxehta iu shtua edhe Veriu i Mitrovicës, ajo tokë neutrale që natën është shqiptare,  ditën- serbe dhe ‘vice- versa’.  Ngjarja mund të precipitojë në një situatë ‘as luftë as paqe’. Që sot pala serbe njoftoi se pezullon bisedimet me Prishtinën. Parullat e politikanëve ballkanik, inkludë edhe shqiptarë, se në rajon ‘mund të hyjnë rusët’, duket më aktuale se kurrë. Jo se thjesht po hyjnë ushtritë ruse pas vrasjes së Ivanoviç. Por se mes dy kombeve tona, dhe mandej në gjithë Ballkanin, krijohet një ‘brez i butë’ ku bëhen gati të vërshojnë  ‘infeksionet’. Janë gati për ndarje serbët e Bosnjës, kroatët e Bosnjës, hungarezët e Serbisë dhe shqiptarët e Preshevës.

… Kur u vra Franz Ferdinandi, nga ku nisi Lufta e Dytë Botërore, ai ishte i habitur me vendimin e vitit 1908 për aneksimin e Bosnjë- Hercegovinës, që ‘do të tensiononte Ballkanin’- sipas tij.  Stuhia e vrasjes së “Franz Ferdinandit në Bosnjë në vitin 1914”, dmth i Oliver Vujoviç sot, vjen në një kohë kur BE- kujdestari i arenës, ndodhet në reanimacion për vete; thuajse si në vitin 1914 kur nuk kishte lindur. Po të mos ishte vrarë trashëgimtari austriak, kontinenti mund të kishte nisur Konfederatën, ose ‘Shtetet e Bashkuara të Europës”  që në vitin 1914, 33 vjet para BE-së.

Çështja e tretë: As shqiptarët, as serbët nuk e vranë Ivanovçin.

Vëllai i Oliver deklaroi sot se ‘të vërtetën e vrasjes do ta marrë Oliveri në varr’. Domethënë nesër varroset edhe e vërteta e vrasjes, bashkë me viktimën.

Po kush e vrau Oliverin? Përderisa ‘duhej vrarë’ as që ka kuptim pyetja se kush e vrau. Rajoni ynë, ‘i qetë’ prej kohësh duket se është kthyer në një zonë ku zhvillohen beteja të heshtura. Supershteti, siç konsiderohet BE, as ishte në gjendje të shpallte se ‘nuk jam i aftë’ të merrem me rajonin, as e lëshoi rajonin që t’i thotë ‘je i lirë’. Në Trieste i tha ‘nuk je BE, në Bruksel i thoshte ‘je BE’. Brenda një viti- katër qëndrime të ndryshme. Qeveritë- krijesa të George Soros, doninojnë Ballkanin dhe i bëjnë karshillëk Shteteve të Bashkuara. ‘Sulltani’ i Turqisë, Erdogan, ka futur duart mirë në rajon. Në të dy anët- Perëndim e Lindje, rajoni ka kufij të mbyllur: Vishegradi nuk kalohet lehtë, por as Ukraina. ‘Kordoni Sanitar’ është demoluar nga BE. Influencat mes liberal- demokracisë dhe konservatorëve nuk po ‘shqiten’, dhe as dallohen mirë.

Prej shumë kohësh dukej se diçka do të ndodhte në rajonin të cilin e vinin në gjumë herë zonja Merkel, herë zoti Putin e herë katër çunat kryeministra të Fondacionit Soros në Ballkanin Perëndimor.

Kur akti ishte parashikuar se do të ndodhte, nuk ka më kuptim pyetja “kush e kreu aktin?”.

Veritas.com.al/