Ishte nisur drejt Durrësit për të kaluar pushimet verore, por nuk ka mundur të mbërrijë i gjallë. 58-vjeçari Isa Koni, emigrant prej 20 vitesh në Itali ka ndërruar jetë në traget teksa po udhëtonte nga Bari për në Shqipëri. Ngjarja ka ndodhur në udhëtim e sipër rreth orës tre të mëngjesit të së premtes.

Duke pyetur pasagjerët e tjerë të afërmit kanë mundur të rindërtojnë ngjarjen e të mësojnë çfarë ka ndodhur. Nisur nga dëshmitë ata akuzojnë sërish ekuipazhin e tragetit që nuk i ka dhënë ndihmën e duhur.

Eldi Shehi i afërm i viktimës thotë se 58-vjeçari është ndjerë keq dhe për rreth 1 orë njerëzit pranë tij kanë kërkuar ndihmë por askush nuk ka ardhur.

“Ngjarja ka ndodhur kur ai ka qenë duke udhëtuar nga Italia për në Durrës me tragetin. Gjithçka e kemi marrë vesh vetëm nga pjesëtarët e tragetit. Asnjë mjek në bord. Vetëm nga udhëtarët çfarë kemi pyetur dhe shoferët e autobusëve çfarë na kanë thënë. Duam të themi që nuk i është dhënë ndihma e parë. Të gjithë thonë që personi ka qenë i shtrirë dhe zemra i pulsonte akoma. Kanë thërritur mbi gjysmë ore, një orë njerëzit për mjek apo infermier, po nuk ka qenë asnjë në bord.

Ka kërkuar ndihmë sepse mund të ketë pasur dhe shumë fluks dhe i është marrë fryma”, u shpreh i afërmi i viktimës.

Të afërmit akuzojnë kompaninë e lundrimit për mosdhënien e ndihmës së parë dhe për këtë pohojnë se do ti drejtohen organeve kompetente.

“Nëse nuk bëhet asgjë nga pala do bëjmë denoncim nga të gjitha anët do merremi me gjyqe me kompaninë”, u shpreh i afërmi.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe ekspertët e fushës po punojnë për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Këto ditë, numri i udhëtarëve që lëvizin me tragete mes dy brigjeve të Adriatikut është mjaft i lartë, për shkak të kthimit të mjaft emigrantëve për pushime në atdhe.

Veritas.com.al/