Pas rinisjes së procesit të vetingut në Policinë e Shtetit, mesatarja e vendimeve të trupës së vlerësimit anon më shumë tek konfirmimet në detyrë se sa te përjashtimet apo dhe ndërprerjet e procesit.

Mesa duket shumica e drejtuesve të policisë apo dhe Gardës së Republikës plotësojnë tre kriteret, atë të pasurisë, profesionalizmit dhe integritetit në detyrë.

Nëse për Oltian Bistrin, ish-shefin e operacionales i arrestuar përgjatë operacionit “Metamorfoza”, vetingu ndërpreu procesin së bashku dhe me 5 pjesëtarë të tjerë të policisë, të cilët kanë ndryshuar funksione vetëm një drejtues policie është përjashtuar nga radhët e uniformave blu.

I vetmi, ish-drejtori i Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Shtetit, Theodhori Gravani, ngeci në procesin e vettingut në Polici. Edhe pse arsyet nuk janë thënë lidhur me rastin, pritet që AMP të bëjë publike se përse Gravani u përjashtua.

Deri më tani Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka marrë gjithsej 16 vendime, nga të cilat 8 për konfirmim në detyrë, 1 vendim për largimin nga funksionet, 6 për ndërprerjen e procesit të vlerësimit kalimtar dhe vetëm 1 vendim për “përjashtim nga detyra”.

I nisur që në vitin 2019, vetingu pësoi disa ndryshime deri sa u vendos që do të jetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që do të bëjë vlerësimin kalimtar. Një tjetër risi për vlerësimin kalimtar të punonjësve të policisë është dhe koha e vlerësimit.

Sipas projektligjit që u dorëzua në atë kohë shtrirja kohore fillon nga viti2008 e më tej ndërsa komponenti i pasurisë ndoshta më i rëndësishmi raportohet nga Inspektorati i deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Afati, sipas Ministrisë, bazohet në parashikimet e legjislacionit për ruajtjen dhe arkivimin e dokumentacionit nga institucionet publike dhe afatet parashkrimit të veprave penale. Diçka e tillë ndoshta bëhet për të kursyer kohë por për ata drejtues, të cilët dyshohet se mund të kenë vënë pasuri të pajustifikuar para vitit 2008, të dhënat nuk do të merren parasysh.