Deputetët e Partisë Socialiste janë udhëzuar që të vijojnë me punën në komisionet e posaçme parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, pavarësisht bojkotit të lajmëruar nga opozita, thanë burime.

Porosia është dhënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist që po zhvillohet këtë të hënë në kryesinë e Kuvendit. Deputetëve u është dhënë argumenti se maxhoranca duhet të zbatojë agjendën që ka Shqipëria në raport me procesin e integrimit europian dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur.

Në mbledhjen e të hënës marrin pjesë Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e rikthyer së fundmi në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që pezullonte masën e sigurisë dhënë ndaj saj “pezullim nga detyra”, nga Gjykata e Posaçme.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur këtë të hënë në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e sesionit parlamentar. Raportohet se vëmendja kryesore lidhet jo vetëm me agjendën e zakonshme të maxhorancës, por edhe me disa zhvillime të veçanta politike dhe institucionale.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *