Opozita e bashkuar nuk ka ende një konsensus nëse duhet ndryshuar apo jo sistemi zgjedhor dhe nëse po, cili do të ishte më i përshtatshëm për Shqipërinë.
Grupi i punës që udhëhiqet nga drejtuesi politik Gazment Bardhi, vijon punën prej disa muajsh për të dalë në janar me draftin e tij final.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, sekretari i PD-së për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, tha se grupet e punës vijojnë diskutimet sa i përket sistemit zgjedhor. Kaso theksoi se prioritet i PD-së është adresimi i shqetësimeve të evidentuara nga OSBE/ODHIR-i. “Përparësia që opozita u ka bërë çështjeve të reformës synon t’u japë zgjidhje problemeve më të mprehta të zgjedhjeve, veçanërisht ato të cilat janë të evidentuara në raportet e fundit të ODIHR-it.”, tha ndër të tjera Kaso.
Sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së shtoi se opozita është e përgatitur të fitoj zgjedhjet e parakohshme, edhe me kodin elektoral aktual, por vetëm nëse zgjedhjet organizohen nga një qeveri e përkohshme. Po ashtu, Kaso akuzoi kreun e qeverisë se po tenton të bllokojë Reformën Zgjedhore gjithëpërfshirëse.