Partia Demokratike tashmë e ka lajmëruar se protesta e madhe do të mbahet në 16 shkurt në orën 11:00. Nënkryetari, Edi Paloka në një intervistë për “BalkanWeb” flet për objektivin e protestës. Paloka shprehet se protesta do të jetë fillimi i një serie të re, pa treguar mënyrat. Ai thotë se synohet një protestë e vazhdueshme dhe çdo veprim i opozitës do të bëhet në funksion të saj.
“16 shkurti është një kulm por nuk është fundi. Nga aty do të fillojë një seri tjetër, për të cilën ne sigurisht duke u updejtuar do të marrin dhe vendimet. Qëllimi është një protestë e vazhdueshme. Nuk ka më kthim pas. Çdo lëvizje që ne do bëjmë qoftë dhe qëndrimi ndaj parlamentit do të ketë vetëm një funksion: T’i japim zë protestës qytetare. Nuk kemi më as qeveri kemi një tryezë me kukulla që i lëviz Rama”, tha Paloka.
Sipas tij, Partia Demokratike nuk kërkon marrjen e pushtetit me protesta. Synimi, sqaron Paloka, është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me një qeveri tranzitore pasi me Edi Ramën kryeministër është e pamundur.
Veritas.com.al/