Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike ka degjeneruar në përplasje dhe sherre mes përkrahësve dhe oponentëve të kryetarit Lulzim Basha.

Pas aktit të Jemin Gjanës që tentoi të dhunonte fizikisht Valbona Mezinin, anëtare e Kryesisë, situata ka marrë përposhtë.

Në mbledhjen e Kryesisë e ka marrë fjalën ish deputeti dhe ministër i PD, një nga nismëtarët e krijimit të PD, Arben Imami.

Ai ka thënë se  duhet “të ndërtojmë përgjigjen për skemën dhe infrastrukturën e blerjes së votës dhe shantazhimit. Ta identifikojmë infrastrukturën e tyre emër për emër, kudo në çdo zonë”.

Basha nuk e ka pranuar mendimin e Imamit, i cili është identifikuar si një nga kundërshtarët e rreptë të Bashës. Kryetari i PD ka thënë se këto nuk vlejnë por ‘na duhet bashkimi”.

Mësohet se Arben Imami, ish-ministri i Mbrojtjes i ka thënë kryetarit të PD-së: “Analizën ta ka bërë Berisha, mjafton ti ta kuptosh. Unë jam i hapur për bashkim, por duhet të japësh prova pse të besojmë. Pse s’kishim nevojë për bashkim para 6 muajsh? Se ti vendose kështu”, – ka akuzuar Imami.

Por kreu i PD-së u ka bërë një sfidë të hapur kritikëve duke u shprehur: “Kush është kundër PD-së do të dalë jashtë “gardhit” pasi s’ka punë në PD”.

Në rend të ditës kryesia duhet të diskutonte mbi analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit dhe çështje organizative.

Veritas.com.al/