“Votime moniste në 30 qershor nuk ka për të pasur. Së bashku me shqiptarët nuk do lejojmë rikthimin e Shqipërisë në kohën më të errët të saj, kur jetën tonë e kishte në dorë partia shtet”. Kështu ka deklaruar sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, i cili ka publikuar dokumente, që sipas opozitës po manipulohet procesi zgjedhor, duke regjistruar në zgjedhje Bindjen Demokratike.

Kaso tha se Bindja Demokratike, nuk përmbush asnjërin nga dy kushtet ligjore për të paraqitur kandidatë të ligjshëm. pasi nuk ka as deputetë të paktën 6 muajt e fundit, e as firma votuesish.

“Bindja Demokratike nuk përmbush asnjërin nga të dy kushtet ligjorë. Partia e krijuar në paradhomën e Edi Ramës ka paraqitur kandidatë fals në zgjedhjet false, me një vërtetim fals nga Kuvendi i Shqipërisë. Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazmë të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit”, tha Kaso.

Veritas.com.al/