Nga L. Skiro/

Me largimin nga qeveria të ministrave ‘teknik’, PD ka mundur të thotë se ky ishte një ‘triumf’. Para se të shkojmë te triumfi  fundit, ‘largimi’, duhet të gjykojmë nëse ‘ardhja’ në qeveri ishte apo nuk ishte një ‘triumf’.

Në historinë e ‘triumfeve’ ka hyrë ardhja si triumfale, ndërsa largimi ose zmbrapsja, ose dështimi, ose dorëheqja…, kurrë nuk janë quajtur triumf.

Vetëm kësaj here, ministrat ‘teknik’ të PD u quajtën dy herë triumfalë: E para kur erdhën, e dyta kur ikën. ‘Ardhja’ si triumfatorë iu dështoi rrugës, sepse iu ra maska si bashkëpunëtorë me socialistët kundër të gjithë të tjerëve. Marrëveshja e fshehtë mbi ministrat e çoi PD-në në katastrofë. Kjo ishte jo triumfi, por hera e parë kur PD hëngri vetveten.

Për këtë arsye e ‘fshehën’ triumfin’ e parë, duke e marrë zvarrë si dështim.

Pasi aleatët dhe personalitetet brenda PD-së iu bënë thirrje njëmijë herë “ikni ore nga ai turp’, këta bënë dje sikur ikën. Dhe pikërisht këtë e quajtën ‘triumf’. Por frymëzuesit e triumfit i quajtën ‘kukuvajka’; dmth, ata që e nxitën PD-në drejt triumfit t largimit të ministrave teknik.

Këta janë aleatët Shehi, Mediu, nënkryetari Patozi, kryetare e Kuvendit Topalli, një nga themeluesit e parë Imami, etj. Të gjithë këta sot janë quajtur ‘kukuvajka’.

Stili Enverist i sulmit kundër ‘armiqve të brendshëm’ vjen pikërisht nga Gjirokastra, ku ka lindur diktatori Hoxha. Deputeti i PD, Shehu, i zgjedhur në listën e Gjirokastrës, sot në mëngjes ka ’triumfuar’ kundër armiqve të brendshëm. I ka quajtur ‘kukuvajka’ dhe ‘spekulim kukuvajkash”.

“FUNDI I NJE SPEKULLIMI “KUKUVAJKASH” NDAJ PD-se- shkruan deputeti i vjetër dhe i ri, Shehu. .

Besoj se tashme, mbas dorëheqjes formale dhe deklaratave dinjitoze të ministrave, ka ardhur koha që këta “orakuj” së paku të heshtin, për t’i lënë vendin të vërtetës dhe realitetit- shkruan Shehu në emër të PD.

Nesër ose pasnesër mund të mos kemi  as ‘kukuvajka’. Partia Demokratike po ha vetveten. Kësaj here hëngri themeluesit, reformatorët, personalitetet e besueshme, dhe rreth 200 mijë votues. Herën tjetër mund të mos ketë çfarë ha më, as kukuvajka.

Veritas.com.al/