Me synimin për të zhbërë ndryshimet kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, me propozime të cilat zhbëjnë reformën territoriale dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re propozimet e Partisë Demokratike, me firmën në fund të Lulzim Bashës janë gati për tu dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.
PD e nis fillimisht me propozimin për ndryshim të pikës 3 të nenit 45 që në thelb e vë theksin te vettingu i politikanëve. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Në propozimin e PD thuhet se kontrolli i integritetit është një proces i posaçëm verifikimi që përfshinë kontrollin e thelluar të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Ai kryhet me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, dhe institucioneve kushtetuese, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht.
Për Partinë Demokratike subjektet që duhet t’i nënshtrohen janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit si dhe personat që lidhen me ta si dhe familja.
PD kërkon që për kontrollin e integritetit të politikanëve të ngrihet një sektor i posaçëm në SPAK, që do të quhet ‘Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërorë’. Ky sektor do të përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK të cilët do të zgjidhen me short çdo 3 vjet.