“Demokratët e kanë braktisur platformën e dhunës dhe të bashkuar do të ndërtojnë mbi rrënojat e së shkuarës”.

Ka qenë kjo deklarata e opozitës, paraditen e 12 janarit, pas protestës së thirrur nga ish-kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, “për një parti moderne dhe evropiane”.

Sipas demokratëve “dhuna kunder PD u organizua dhe u planifikua deri ne detaje”.

“Sali Berisha përzgjodhi një grup mercenarësh të drejtuar nga Flamur Noka”, sipas njoftimit zyrtar në median sociale Facebook, “për të goditur demokratët që ishin brenda selisë”.

Theksin e kanë vënë dhe te qëndresa që Kryesia, Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar dhe demokratët kanë bërë më 8 janar, në protestën e Berishës.

“Ata qëndruan fort për të mos e kthyer partinë në bunkerin e një personi të shpallur non grata për korrupsion madhor nga partneri ynë strategjik”.

Protesta e Berishës

Më 8 janar të këtij viti, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar largimin e lidership-it zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, u nis drejt selisë së Partisë Demokratike me një mision të qartë në mendjen e tij: Të largojë Lulzim Bashën nga kreu i partisë.

Berisha u kërkoi mbështetësve të tij të vetëpërmbahen dhe vetëdeklaroi se protesta që po zhvillohet, “është paqësore”.

Në të vërtetë, pamjet treguan krejt të kundërtën!

Këtë qëllim, nuk e kishte vetëm ai, por edhe mbështetësit e ish-kreu të bluve.

I vetmi aspekt kundërshtues midis dy palëve, ishte ai i gjuhës së trupit të Berishës, dhe asaj verbale.

Teksa Berisha thotë se protesta është paqësore, gjestet e tij të qarta, u bënin thirrje mbështetësve të mësyjnë selinë.

Këta të fundit, nuk ngurruan t’i binden liderit të tyre, të cilin e kishin rrethuar menjëherë si mburojë në mbërritjen e tij.

Dyert e xhamta ishin sakrifica e parë e godinës. Ato u thyen “pa dhunë” sipas Berishës, duke u hapur vetë.

Menjehere pas protestes, Policia e Shtetit arrestoi ne flagrance 34 pjesemarres dhe procedoi penalisht 18 te tjere, të dyshuar për vepra penale të ndryshme.