
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një aktivitet të zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku theksoi rëndësinë e transformimit të këtij institucioni në një qendër ekselence rajonale për arsimin dhe kërkimin shkencor në fushën bujqësore.
Ai nënvizoi ambicien për ta kthyer UBT-në në antenën rajonale të universitetit prestigjioz austriak BOKU deri në vitin 2030, ndërsa bëri një përmbledhje të historisë së universitetit, nga koha e lavdisë deri te periudhat e degradimit, duke e cilësuar reformën aktuale si një kthesë të vërtetë evropiane për të ardhmen e arsimit bujqësor në Shqipëri.
“Në asnjë universitet në Shqipëri nuk mund të gjesh këtë perspektive që ka hapur kjo reformë reale europiane në UBT.
UBT për hir të së vërtetës ka kaluar dy faza në histori, dikur ishte një qendër e ekselencës reale, koha para përmbysjes së regjimit. Pedagogët ishin akademikë dhe dijetarë të pamohueshëm.
Faza e dytë ishte ajo e rrënimi, braktisjes dhe degjenerimit publik.
Bëmë çlirimin e universitetit nga pushtues që kishin marrë territoret për historitë e tyre që nga qoftet te shitja e të brendshmeve. Ishte dramatike të hyjë në një universitet që për të shkuar në auditor duhet të kalojë në një Pazar.
Kush mendoi se iku koha e autokombajnave dhe erdhi koha e mercedesëve të vjedhur, të gjithë i kthyen kurrizin UBT-së”, tha ai.
Komente