Është zhvilluar sot seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese për përballjen e parë institucionale mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, për çështjen e mosmarrëveshjes së kompetencave për dekretimin e ministrave.

Sipas përfaqësueses së Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, Meta refuzoi dekretimin e ish-ministrit Cakaj jashtë çdolloj kompetence.

Seanca ishte planifikuar që të zhvillohej me 25 mars, por për shkak të infektimit me Covid të anëtarëve të gjykatës Kushtetuese u shty. Gjykimi do të mbahet në Kushtetuese aty ku Rama kërkon interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës pika 1 për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Kjo padi është depozituar nga Rama pas përplasjes me Metën për mosdekretimin e ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj.

Meta në atë kohë refuzoi të dekretojë Cakajn i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës ndërsa ministër i jashtëm me dekret ishte vetë kryeministri Rama. Kjo është përballja e parë e dy liderve në gjykatë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Përpara zgjedhjeve ka pasur vazhdimisht përplasje në distancë mes tyre, pasi presidenti dhe kryeministri e kanë parë 25 prillin në këndvështrime të ndryshme. Edhe pse u tha si premtim se do të dorëheqet nga pozicioni i Presidentit të Republikës nëse Rama fiton 71 mandate, Meta nuk e mbajti fjalën.

Pasi PS fitoi zgjedhjet, Meta doli në një deklaratë për shtyp nga Presidenca dhe ka folur sikur të mos kishte hedhur akuzat më të rënda për procesin zgjedhor por e përshëndeti atë. Meta tha se tashmë duhet reflektuar deri në shtator. Ndërkaq edhe Vlora ka qenë një nga zonat që u kthye në barut ndezës mes debatit të tyre.

VERITAS.COM.AL