Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në inaugurimin e hapjes së Bypass-it të Fierit, ndërsa tha se nga sot rruga është në dispozicion të publikut.

I shoqëruar nga Ministrja Belinda Balluku, Rama u shpreh se sfida e radhës do të jetë Bypass-i Vlorës, ndërsa shtoi se këtë javë do të nisë asfaltimi.

“Me mbylljen edhe të anëkalimit tjetër, mbyllet përfundimisht Bypass-i i Fierit dhe nga sot kjo vepër e rëndësishme është në dispozicion të publikut, me të gjitha standardet e garantuara pas rishikimit tërësor të projektit. Këtë javë nis asfaltimi në Bypass-in e Vlorës dhe hapet gara ndërkombëtare për projektin e Tunelit të Llogarasë“, tha Rama.

Në facebook, kreu i qeverisë shkruan se brenda qershorit do të hapet gara për “Korridorin Blu”, që do të lidhet pikërisht me Bypass-in e Fierit dhe që sipas Ramës, do të transformojë qenësisht infrastrukturën rrugore të Shqipërisë.

“Gjithashtu kreu i qeverisë shkruan se “Brenda qershorit hapet gara për ndërtimin e aksit prej 120 km përgjatë gjurmës së “Korridorit Blu”, Milot – Thumanë – Rrogozhinë – Fier, i cili do të lidhet pikërisht me Bypass-in e Fierit dhe do të transformojë qenësisht infrastrukturën rrugore të Shqipërisë Turistike. Është vepër gjigante, fantastike“, shkruan Rama.

VERITAS.COM.AL/