Samiti i Brdo-Brijunit, i cili u mbajt në Tiranë këtë të enjte, përfundoi me mesazhin për BE-në që pas zgjedhjeve europiane ta shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor në një mënyrë ‘sui generis’.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha se liderët e rajonit në krahun tjetër duhet të zgjidhin çështjet e hapura në rajon që ta bëjnë Ballkanin Perëndimor më tërheqës për BE.
“Të gjithë besoj se e dinë që pas zgjedhjeve evropiane procesi i zgjerimit nuk do të jetë në nivelin e lartë të rendit të ditës në Komisionin Europian dhe varet nga ne që t’i marrim çështjet e hapura dhe t’i zgjidhin në një mënyrë që ky rajon të jetë më tërheqës për pjesën tjetër të BE nga sa është aktualisht…Pas zgjedhjes së komisionit të ri, është koha për Brukselin që të shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor në një tjetër mënyrë, në një mënyrë ‘sui generis’. Komisioni, parlamenti dhe e gjithë BE duhet të ketë përpara syve panoramën e përgjithshme të rajonit dhe duhet të përpiqen që t’i ftojnë të gjithë në proces”, tha Pahor në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Ilir Meta, Presidenten kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç dhe Presitenin polak Andrezej Duda, në përfundim të samitit.
Presidenti Meta tha se konkluzionet e këtij samiti evidentuan ecurinë pozitive të rajonit e në mënyrë të veçantë arritjen e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Prespës (Maqedoni-Greqi) dhe tashmë rrugën mjaft të suksesshme të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, por edhe drejt çeljes së negociatave me BE.
“Theksuam nevojën për nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e zgjidhjeve të çështjeve të mbetura pezull mes vendeve të rajonit dhe forcimin e këtij bashkëpunimi me qëllim krijimin e një hapësire ekonomike atraktive për investimet, sidomos nga BE…Të gjithë u angazhuam që të bashkëpunojmë më mirë e më ngushtë për të ruajtur dhe garantuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.”
Për Presidenten korate, BE është e paplotë pa Ballkanin. “Ballkani perëndimor është një pjesë natyrale e BE-së, nuk dëshiroj të përmend fjalën zgjerim, por përfshirje të këtij rajoni në BE”, tha ajo.
Presidenti polak tha se Brukseli duhet të ndjekë një politikë të dyerve të hapura, teksa shprehu bindjen se shtetet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Unionit.
Të pranishëm në samit ishin edhe Presidentët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës.
Të ftuar specialë të Samitit ishin shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, njëkohësisht zv. Presidente e Komisionit Europian, Federika Mogherini dhe Presidenti i Polonisë, Andrezej Duda.
Samiti që përkon me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian. (Sipas Klan tv)