Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, pas takimit me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, ka thënë se ai është i gatshëm të takohet përsëri me diplomatin rus nëse ka elemente “për një diksutim përmbajtësor”.

Ai tha se narracioni i Lavrovit gjatë takimit ishte se Rusia do të vazhdojë agresionin e saj deri në momentin që Ukraina i përmbush kërkesat e tyre, shkruan Sky News, përcjell Periskopi.

Kuleba tha se “nuk ishte e lehtë” të dëgjohej Lavrov gjatë takimit- duke shtuar se furnizimet ushtarake drejt Ukrainës nuk janë diskutuar.

Ai bëri të ditur se nuk ka progres në armëpushim dhe se Ukraina ka dy kërkesa: të organizohet një korridor humanitar prej Mariupolit dhe arritja e armëpushimit 24 orësh.

“Kam përshtypjen se Rusia në këtë moment nuk është në pozitë për të vendosur një armëpushim” shtoi ai.

Kuleba tha se vendi i tij nuk mund ta ndalë luftën nëse vendi që e ka nisur agresionin “nuk ka dëshirë ta bëj këtë”.