Para dy ditësh, presidenti Meta sulmoi institucionet e BE dhe të SHBA që iniciuan dhe mbështetën Reformën në Drejtësi, duke e quajtur ‘reformë të dështuar’. Edhe sot, BE përmes ambasadorit Soreca i ka dhënë përgjigje poshtërimit të Reformës nga Meta.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha sot se reforma në drejtësi është e pandalshme dhe se ka shumë rëndësi për qytetarët shqiptarë. Sipas tij, reforma është zbatuar në përputhshmëri me Kushtetutën shqiptare. Këto deklarata, zoti Soreca i bëri gjatë konferencës me temë “Monitorimi i Integriteti Gjyqësor”.

“Shoqëria cilivie është pjesë kyçe e imuniteti të trupës gjyqësore dhe bëhet e tillë kur ata bëjnë monitorim të vazhdueshëm. Sistemi duhet të ruhet dhe është puna e çdo qytetari që të denoncojë ata që marrin apo japin ryshfet. Është puna e institucioneve që të marrin masat konkrete kundër shkelësve dhe të sigurohet që të funksionojë një sistem i shëndetshëm llogaridhënie.

Reforma  e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri me Kushtetutën dhe është e pakthyeshme dhe e një rëndësie të  jashtëzakonisht të madhe. Pas pak ditësh, KE do të prezantojë raportin e progresit. Do shikojmë arritjet që janë bërë dhe ato që nuk janë bërë.  Tranzicionet janë sfiduese, por nuk duhet të harrojmë objektivin që duhet të arrijmë. Reforma në drejtësi është prioritet për çdo politikan shqiptar. BE do mbështesë procesin e reformave dhe monitorimin e standardeve”, tha ambasadori i BE-së, në Shqipëri.

Veritas.com.al/