Efektivët e policisë shqiptare thanë se kishin qenë bashkë me ekspertë të Interforcës italiane në Seman, atje ku dyshohet se u përdor IMSI Catcher. Operacioni nisi pas sinjalizimit se në atë zonë ishin ulur avionë me drogë. “Panorama” raporton se të pranishëm në ditën e dërgimit të pajisjes në zonën e Semanit kanë qenë efektivë të Policë shqiptare dhe disa punonjës të Interforcës.

Dërgimi i pajisjes në zonën e Semanit është pohuar nga efektivë të Policisë shqiptare që janë pyetur si persona me dijeni për çështjen e “IMSI-Catcher”.

Efektivët kanë thënë se në një nga ditët kur është raportuar për avionë me drogë në zonën e Semanit, makina me pajisjen përgjuese është çuar në atë zonë. Pasi pajisja është dërguar atje dhe është vendosur në punë, mësohet se efektivët e Policisë italiane u kanë kërkuar policëve shqiptarë të dalin nga makina për rreth 40 minuta.

Më pas grupi është kthyer në Tiranë. Më 21-22 maj 2016, disa qytetarë denoncuan se kishin parë avionë të vegjël sportivë në zonën e Semanit. Raportimet u shoqëruan edhe me disa foto të avionëve për të cilët u tha se ishin ulur në zonën e Semanit. Tashmë është bërë e njohur për publikun se avionët uleshin dhe ngriheshin në këtë zonë, sepse mbartnin drogë nga Shqipëria për në Itali.

Pikërisht në këtë kohë mësohet se pajisja përgjuese është dërguar në Seman në prani të efektivëve të Policisë shqiptare dhe atyre të Policisë italiane.

 

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me pajisjen, pas informacioneve të marra nga strukturat e sigurisë kombëtare. Pas nisjes së hetimit, organi i akuzës kërkoi sekuestrimin e pajisjes me qëllim këqyrjen e saj nëse ishin bërë përgjime.