Përmbytjet e fundit në vend nuk janë vetëm pasojë e reshjeve të dendura, por edhe rezultat i veprimeve njerëzore, tha Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët në Golem. Ai paralajmëroi krijimin e një Task Force për ndotësit dhe njoftoi përdorimin e një pjese të fondit prej 20 milionë eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e mjeteve të pastrimit të kanaleve.
“Meqë është takimi i parë i vitit edhe takohemi sy më sy, ju uroj të keni vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot jemi këtu… për të diskutuar për sfida dhe për të përcaktuar çështjet kryesore që do duhet të merremi bashkarisht,” tha Rama, shkruan A2 CNN.
Sipas tij, reshjet e fundit ishin shumë intensive, por situata u rëndua nga “papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt”, duke përfshirë hedhjen e plastikës në rrugë që bllokon rrjetet e kullimit. “Ajo që ndodh me plastikën, derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit, ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është krim shqiptar,” shtoi ai.
Rama i ka kërkuar Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor të ngrejë një Task Force, që të konceptojë një plan me tre faza, nga sensibilizimi i qytetarëve deri te veprimet konkrete për pastrimin e kanaleve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Komente