Prej ditësh Shërbimeve metereologjike në vend kanë dhënë parashikimet për përmbytje në 4 qarqe të vendit, duke kërkuar marrjen e masave nga autoritetet lokale. Të njëjtën gjë kërkoi edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke bërë të ditur se do të ketë prurje të shumta për shkak të reshjeve.
Hidrometri në Dajç në orën 08.30 shënoi kuotën 5.75 metra, ndërsa kuota maksimale është 6.3 metra. Krahasuar me një ditë më parë ka një rritje të nivelit të ujit me 25 centimetra.
E njëjta gjë edhe në Liqenin e Shkodrës, ku niveli i ujit është rritur me 18 cm. Jo më pak ka prurje edhe në Drin, ku rritja është më e vogël, por që përbën rrezik të shtuar.
Ndonëse nuk ka përmbytje sit ë disa ditëve më parë, të dhënat nga Shtabi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Shkodrës bëjnë të ditur se janë përmbytur disa hektarë tokë, nga të cilat një pjesë e sipërfaqeve të kultivuara dhe një pjesë tjetër e mbetur djerr.
Situata më e rëndë është në zonën e Obotit, ku niveli i ujit mbi rrugë arrin në rreth 35 cm dhe është e pa kalueshme me mjete te ulëta. Gjithashtu në Obot, si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit ujësjellësi i Oblikës. Në disa raste familjarë të ndryshëm të zonave që janë në vijën e rrezikut kanë kërkuar bazë ushqimore edhe për bagëtitë.