Policia e Shtetit ka hedhur poshtë pretendimet e deputetëve të Partisë Demokratike që janë kërcënuar me armë, raporton A2 CNN.
Në një video të postuar në rrjetet sociale të deputetes Elda Hoti, gjatë një përplasjeje me deputetët Luan Baçi dhe Flamur Noka, duket një efektiv i policisë që vendos dorën në zbrez. Deputeti Baçi akuzoi se polici i kishte vendosur pistoletën në gjoks, diçka që nuk duket nga pamjet.
Por policia thotë se asnjë polic nuk kishte armë, pasi vinin nga protesta para Bashkisë së Tiranës.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë. Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit. Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni. Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit”, tha policia.
“Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private. Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori”.