Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, ka reaguar në lidhje me përplasjen e deputetëve të PD me Gardën e Repulikës, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Përmes një postimi në facebook, Çollaku shkruan se dhuna në Kuvend nuk përfaqëson opozitën që mund të përmbysë kryeministrin Rama.

Nënkryetari i PD nënvizon se një opozitë e tillë, destruktive, i jep mandatin e katërt kryeministrit Rama.

“Një opozitë që kacavirret nëpër dritaret e parlamentit, është fiks opozita që i duhet Edi Ramës.

Një opozitë që me kaq shpejtësi mbledh kaq refuzim qytetar rreth vetes, është fiks opozita që i duhet Edi Ramës.

Një opozite që për Kosoven bashkon voten me “argatin e Vuçiç”, por për karriget e ofiqet e veta përmbys parlamentin, është fiks opozita që i duhet Edi Ramës.

Një opozitë e tillë, nuk është opozita që përmbys Ramën.

Një opozitë e tillë i fal Ramës mandatin e katërt dhe ky nuk është krim vetëm ndaj demokratëve por dhe ndaj rithemelisave dhe më gjerë akoma, një krim ndaj Shqipërisë.

Ndaleni këtë marrëzi, përfituesi i vetëm i dhunës në parlament është Edi Rama.

Humbesi i vetëm prej dhunës në parlament është opozitarizmi”, shkruan Çollaku në facebook.