Nga Ardit Rada

Lulzim Basha ka përdorur një natë më parë të shoqen. Ose më saktë kanë rënë dakord që të publikojnë një moment familjar në funksion të fushatës elektorale që kanë përpara. Siç e quajnë ata në shtëpinë e tyre dhe të Saliut ‘e katërta e vërteta’. Gjithmonë me shpresën se turpet para të vetëve në vitet 2015, 2017 dhe 2019 janë harruar dhe se tashmë po bëjnë ‘luftën finale’, por jo nën tingujt e ndonjë Internacionaleje. Maksimumi nën bekimin e Ilir Metës.

E shoqja e kryeministrit pretendent hodhi foton e së bijës me të atin, teksa ky i fundit i lexonte një përrallë. Është i tepërt sulmi i bërë këto ditë, se pse i lexonte vajzës 10-vjeçare libra për fëmijë nën 3 vjeç. Fëmijët gjithmonë ngjasin nga prindërit, ndaj duhet marrë parasysh kjo rrethanë.

Një ditë para kësaj poze të dalë nga vila, ku thuhet se Basha jeton prej kohësh, kishte episode plot që do të duhej të na tërhiqnin vëmendjen.

Fjala bie, Rajmonës i janë dashur 10 vite t’i rrisë dy vajzat pa baba, t’i bëjë gati për shkollë dhe të përballet me ngërdheshjen e radhës së politikës. Sidomos me ato të Lulzimit që lexonte ‘Mashën’. Të shoqin, Aleksin, asaj ia këputën në mes të bulevardit të Tiranës plumbat e armëve të Gardës së Republikës dhe kjo do të ishte mirë të shkruhej me gërma kapitale dhe boll të trasha. Sepse vuajtjet vijuan edhe në spitalet matanë kufirit. Aleksi me gjasë kish përtuar ta vizitonte kryeqytetin ditën më të lumtur të jetës së tij, siç është datëlindja apo dasma. Por ja që fati apo historia e thërriti atë 21 janar të 10 viteve më parë dhe sot e shohim të radhitur krah dëshmorëve të këtij kombi.

Do të kisha dashur të shkruaja më parë se sa sot, jo vetëm për vajzat e Aleksit.

Por për Anën dhe Klajdin e Ziverit.

Për dy djemtë e Faikut, njëri prej të cilëve i dha fund jetës pak kohë pasi babanë ia mori shteti me një ‘llaf goje’ në radiot e Gardës. Ndërsa i vëllai, Renato Myrtaj rron për karshillëk të Drejtësisë dhe për t’ua shtuar dridhmat në trup atyre që i morën të atin.

Por po aq do të kisha dëshirë të shkruaja si homazh edhe për Hekuranin që nga Dibra punonte në Greqi dhe erdhi të protestonte atë ditë për korrupsionin e Ilirit dhe Saliut, plumbi i të cilëve i morën jetën. Mu në bash të vendit, në podin e gazetarëve dhe kamerave që filmonin 21 janarin e vitit 2011. Edhe Hekurani la dy fëmijë jetimë. Ndërsa Iliri ka tri vite që çirret për ata që emigrojnë dhe i do me doemos mbrapsht në atdhe. Normalisht jo për t’i varë sërish, apo për t’i trajtuar si kokëpalarë. Por për votat që t’i nxjerrin të shoqen deputete.

E pra, si më 21 janar e deri në të shtata, kronologjia është e pandashme ndaj s’është vonë për të shkruar për gjakun e katër dëshmorëve.

Sot, si për ironi, qeveria e atëhershme që mban mbi kurriz vrasjet e faktuara, dhe jo si alibi, është sërish bashkë. Ilir Meta për të cilin u ngrit populli opozitar dhe Sali Berisha të cilit populli i kërkonte shkarkimin e Ilirit ndodhen sup më sup, lidhur si malet. Ky është karshillëku i parë që i bëhet 21 Janarit dhe mbarë atyre që besojnë se Ilir Meta ishte hajdut. Dhe sikur të mos mjaftonte e gjithë mbështetja që i japin njëri-tjetrit për çdo “re në pantallona’ që lëshojnë, tashmë ish-ministri i Brendshëm… Ai që rrinte në tarracë, që vëzhgonte me dylbi, që u binte supeve snajperëve të 21 janarit, që telefononte familjen për t’u treguar ndonjë përrallë për t’i larguar nga ekrani ku qeveria e tij dhe ai po luanin krimin më të ndyrë… Vazhdon lexon libra me arusha.

Ndërsa vajzat e Aleksit vijojnë të presin tregimin e Drejtësisë së re./JAVANEWS/

VERITAS.COM.AL