Policia e Durrësit ka njoftuar se punonjësit e ALUIZNI në Durrës janë përballur sot me një aromë mbytëse çka ka sjellë probleme në frymëmarrje dhe probleme shëndetësore për ta.

Policia njofton se po punohet për zbulimin e lëndës së hedhur dhe për të zbardhur shkaqet e këtij problemi.

Njoftim i Policisë:

‘Më datë 22.05.2017, rreth orës 15: 30 jemi njoftuar se në Zyrat e Aluiznit, Durrës personat e pranishëm kanë ndjerë një aromë mbytëse.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, ku disa persona kanë shfaqur shqetësime në frymëmarrje, por pa probleme për shëndetin.

Nga ana jonë është lajmëruar prokurori i gatshëm, Forcat Zjarrëfikëse dhe ambulanca, me qëllim parandalimin e çdo rreziku.

Situata në këto momente është normale dhe theksojmë se në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës nuk është paraqitur asnjë person.

Është ngritur grupi hetimor dhe pritet të përcaktohet nga ekspertët lloji i lëndës e dyshuar e hedhur në këtë ambjent dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes’.

Gjatë ditës ka pasur spekulime se autoritetet kanë hedhur gaz lotsjellës me qëllim rrëmbimin dhe fshehjen e disa dosjeve të rëndësishme, tani kur po ndërrohet Drejtori i institucionit- sipas marrëveshjes mbi qeverinë teknike.

/Veritas.com.al/