Institucioni i Presidentit të Republikës ka hedhur zyrtarisht shortin për emërimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një prej institucioneve më të rëndësishme të dala prej reformës në Drejtësi.

Sipas Shortit, institucionet kryesore të legjislaturës në vend, janë në garë për postet e përhershme dhe ato zëvendësuese.

Nga shtatë kandidatët e Gjykatës Kushtetuese, kanë qenë anëtaret Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, ato të cilat janë përzgjedhur si anëtarë të Këshillit. Anëtar zëvendësues nga Kushtetuesja ndërkaq, do të jetë Altin Binaj.

Nga radhët e Gjykatës së Lartë, kanë qenë të nëntë anëtarët e saj, në garë për t’u emëruar. Sipas shortit, i përzgjedhur ka qenë gjyqtari Sokol Binaj, si i emëruar në Këshill. Ai në bazë të ligjit, do të mbajë edhe detyrën e kryetarit të KED-së. Si anëtar zëvendësues i Gjykatës së Lartë ndërkohë, është përzgjedhur Sandër Simoni.

(Çaste nga hedhja e shortit).

Ndër radhët e prokurorëve, ka qenë Anila Leka, anëtarja e përzgjedhur për KED-në. Si anëtar zëvendësues, është përzgjedhur prokurori Thoma Jano.

Për sa i përket gjykatave të Apelit, përfaqësuesja e parë e përzgjedhur ishte Edlira Petri. Enton Dhimitri është përzgjedhur si anëtar i dytë i gjykatave të apelit. Anëtar zëvendësues nga radhët e tyre, është zgjedhur Ridvan Hado.

Nga radhët e prokurorive pranë gjykatave të Apelit, e para e përzgjedhur ka qenë Arta Marku, e cila ka mbajtur edhe detyrën e kryeprokurores së vendit më parë. Anëtari i dytë i përzgjedhur, ka qenë Etjen Kabo.

Nga radhët e gjykatave administrative, e përzgjedhura ka qenë gjyqtarja Klodiana Mema.

Nëntë anëtarët e nisin detyrën e tyre në vitin 2022.

Çfarë është KED?

Këshilli për Emërimet në Drejtësi është një organ i ri kushtetues. Kolegjial, i cili është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi.

Ai përbëhet nga nëntë anëtarë të përzgjedhur me short. Ata e ushtrojnë detyrën me kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksioni, të cilin e mbajnë në radhët e sistemit të drejtësisë.

Mbledhjet e tij kryhen sa herë të jetë e nevojshme. Kryesisht, institucioni siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative apo financiare, për realizimin e funksioneve të KED-së.

Detyra kryesore e këtij organi, është kryerja e verifikimeve për kriteret profesionale dhe morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.