Në qytetin e Fierit, të pushtuar nga dhimbja e madhe për humbjen e një djali 8-vjeçar, familja e Mato Vasiu kërkon dënim kapital me varje për autorin e vrasjes Klodian Çalameni.
Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej gati 3 dekadash tashmë. Ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një dënim kapital, varje në mes të qytetit. Kishte 8 muaj që kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.
Gjykata këtë të enjte dha masën e arrestit me burg për Klodian Çalamënin. 38-vjeçari do të gjykohet pas hekurave për vrasjen e 8-vjeçarit që u gjet i mbuluar me baltë në oborrin e vrasësit.
Familjarët e të miturit janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të ballafaqohen me Çalamënin, i cili nuk u paraqit në ambientet e gjykatës pikërisht prej gjendjes së rënduar.
Personat e pranishëm kërkonin që vrasësi të dënohej me varje pasi nuk mund të qëndronte në burg dhe të ushqehej me taksat e tyre.
“Kërkoj varjen në mes të Fierit sot, ma sillni këtu,” tha nëna e djalit të vrarë, ndërsa të tjerë u shprehën se dënimi me burg nuk do ta linte të prehej në Paqe 8-vjeçarin.
Pas dhënies së masës së arrestit nga gjykata, familjarët vendosin të largohen për t’u drejtuar drejt qendrës së qytetit. Ata dëgjohen në kor teksa thonë: Të dënohet me varje. Babai i Mateos është pari që i “prin” turmës së familjarëve.