Katër inspektorë policie janë pezulluar në Durrës. Mësohet se ata kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, Afrim Kila,  për të cilin Gjykata e Apelit, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Ai ishte dënuar me 16 vite burg, por për shkak se i kishin kaluar afatet e paraburgimit përfundoi në arrest shtëpie.

Më herët, Kila është dënuar pasi në vitin 2020, në ambientet e një lokali, në Ishëm, ka goditur me mjete të forta dhe më pas në rrugë e goditi me automjet një qytetar, i cili më pas ka vdekur në spital.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për shkelje të pikës 5 të nenit 209 të rregullores së Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë:

-Inspektorë të tre oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës;
-Inspektor S. K., trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë.

4 punonjësit e Policisë janë pezulluar nga detyrat, pasi kanë qenë me shërbim, kur është larguar nga banesa e tij në fshatin Gjuricaj, shtetasi  për të cilin Gjykata e Apelit, Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Ndërkohë, AMP-ja ka iniciuar hetim penal për këtë rast dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin ligjor të përgjegjësive.