JOCELYN GECKER

Associated Press Mars 20, 2020,

 

SAN FRANCISCO (AP) – Superylli Plácido Domingo ka dhënë dorëheqjen nga unioni amerikan që përfaqëson këngëtarët e operës dhe do të kontribuojë 500,000 dollarë në programet e zhdukjes së ngacmimit seksual dhe një fond që ndihmon punonjësit e operës në kriza, tha sindikata të Premten.

Zhvillimi erdhi disa javë pasi hetimet nga American Guild e Artistëve Muzikorë dhe Opera e Los Anxheles gjetën se akuzat e ngacmimit seksual kundër tenorit të famshëm, tani 79 vjec, ishin të besueshme.

Hetimet filluan pas publikimit të tregimeve të Associated Press vitin e kaluar, në të cilat shumë gra akuzuan Domingon për ngacmim dhe abuzim të pushtetit të tij ndërsa ai mbante poste drejtuese në LA Opera dhe Washington National Opera.

AGMA njoftoi se hetimi i saj katër-mujor zbuloi se Domingo ishte “përfshirë në veprimtari të papërshtatshme, duke filluar nga flirtimi deri tek avancat seksuale, brenda dhe jashtë vendit të punës”. Detajet e akuzave nuk u publikuan, por njerëzit e njohur me hetimin të cilët folën për AP në kushte anonimiteti thanë se hetuesit zbuluan se 27 persona ishin ngacmuar seksualisht ose kishin dëshmuar sjellje të papërshtatshme nga Domingo në vitet 1990 dhe 2000.

LA Opera tha që hetuesit e saj kishin marrë 10 akuza që Domingo ka kryer “sjellje të papërshtatshme” me gra ndërmjet 1986 dhe 2019.Domingo ndihmoi të themelohej LA Opera në vitet 1980 dhe e drejtoi kompaninë si drejtor i përgjithshëm nga 2003 deri në tetorin e kaluar, kur ai u tërhoq pasi u shfaqën akuzat.

Në njoftimin e dorëheqjes së Domingos, AGMA gjithashtu tha se unioni kishte tërhequr akuzat disiplinore të ngritura kundër këngëtarit, si rezultat i hetimit të tij. Veprimi disiplinor mund të kishte variuar nga gjobat deri në dëbim.

Zyrtarët e unionit të kontaktuar nga AP thanë që ata nuk kishin ndonjë koment shtesë, dhe përfaqësuesi i Domingos nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Bota e operës është mbyllur në mënyrë efektive nga pandemia e koronavirusit, e cila ka ndaluar udhëtimet dhe ka bërë që kompanitë në të gjithë globin të mbyllin teatrot për një kohë të pacaktuar, duke lënë pjesën më të madhe të industrisë të papunë.

Unioni ka inkurajuar anëtarët e prekur nga kriza të aplikojnë për ndihmë financiare në fondin e tij të ndihmës.

VERITAS.COM.AL