Një atentat që do kryhej ndaj politikanëve në Kosovë është arritur të zbulohet nga shërbimet sekrete të vendeve partnere, ndërsa në shënjestër ka qenë kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe disa deputetë të kësaj partie. Media Nacionale raporton se në listën e ekzekutimeve ka qenë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu.
Zbulimi i këtij atentati është bërë përmes përgjimit të një grupi shqiptarësh nga ana e policisë gjermane, ndërsa mësohet se ata kanë qenë duke folur mbi realizimin e disa vrasjeve të figurave politike në Kosovë. Fillimisht u raportua se në listë ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetët Avduallah Hoti, ish kryeministër, Armend Zemaj dhe Arben Gashi, por gazeta Nacionale ka mësuar se bëhej fjalë edhe për varjen e Memli Krasniqit dhe Ganime Musliut.
Nacionale raporton se autoritete e Kosovës janë informuar mbi këtë rast nga Ministria gjermane e Punëve të Brendshme. Plani për ekzekutimin dyshohet se është bërë nga një shqiptar i Kosovës, i cili jeton në Belgjikë. Ai ka qenë duke u hetuar nga autoritetet gjermane për krime të tjera dhe në përgjime policia ka arritur të zbulojë planin për të vrarë politikanët e Kosovës.
“I dyshuari mendohet që është një shqiptar i Kosovës që jeton në Belgjikë. Ai ka qenë duke u hetuar nga autoritetet gjermane për krime të tjera, e rastësisht ka rënë në përgjim për idetë e tij të çmendura, për të kryer krime politike në Kosovë”, ka thënë burimi. Sipas të njëjtit burim, nuk ka dyshim që motivi është politik. Është e pamundur të pohohet që atij dikush i ka dhënë urdhër për të vrarë rival politik, mirëpo përgjimet tregojnë që motivi është i pastër politik”, tha burimi për Nacionale.