Një takim kokë më kokë do të zhvillohet sot mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, në Berlin. Vizita e Ramës vjen në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

Kështu, fokus i takimit do të jetë koordinimi për mbajtjen e radhës së samtit të Procesit, i cili pritet të zhvillohet këtë vjeshtë në Tiranë.

Disa ditë më parë Rama deklaroi se në takimin me Scholz-in do të caktohet edhe data e samitit. Pas kësaj, do të ketë një takim mes dy delegacioneve, ku do të diskutohet ndër të tjera mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kryeministri do të takohet me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë në zhvillimin turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.

Gjithashtu, ai do të vizitojë Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 mijë ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.

Në datat 7-9 mars, përmes një programi të mirorganizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, promovohen ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.

Shqipëria përfaqësohet në këtë panair me stendën e saj zyrtare, ndërsa shumë shoqata dhe turoperatorë shqiptarë marrin pjesë po ashtu.

Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti rekordin historik prej 7.5 milionë vizitorësh të huaj dhe synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.