Policia e Shkodrës njoftoi mediat se ka mundur të kapë autorin e masakrës së mesnatës së kaluar në fshatin Dajç të Bregut të Bunës, Shkodër. Vrasësi i dyshuar është 33 vjeçari Miklovan Parubi, bashkëfshatar i viktimave të tij. Ai është kapur pranë zonës ku kreu masakrën, në një lokal të fshatit ku la të vdekur 2 persona dhe plagosi 4 të tjerë.

Policia, përmes njoftimit se “e kapa vrasësin” ka bërë një rezyme të ngjarjes së mesnatës së djeshme, e cila tashmë është bërë e njohur nga mediat.

Policia përshkruan se “sapo mori sinjalin për të shtëna me armë zjarri”, ka mbërritur menjëherë në vend- ngjarje dhe ka konstatuar “konflikt për motive të dobëta” (Lojë në poker). Si rrjedhojë, 33 vjeçari Parubi ka marrë armën automatike dhe ka vrarë Ajet Saitin- 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç.

Gjithashtu ka plagosur  edhe katër persona:  A.P. 40 vjeç, N.K. 33  vjeç, V.K.22 vjeç dhe  K.M. 26  vjeç,  të cilët janë transportuar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.  Ky është njoftimi i Policisë, i cili shton se vrasësi i dyshuar “njihet në zonë si përdorues i lëndëve narkotike dhe probleme emocionale të pakontrolluara.”

Policia më parë kishte akorduar një shpërblim prej 5 milionë lek për secilin që jep informacion lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit për vrasje; si dhe njoftoi se kishte “kapur një bashkëpunëtor” të vrasësit. Kjo e fundit nu krijonte besim se mund të ishin vënë në gjurmë të fajtorit, aq më shumë pse i kapuri nuk kishte asnjë atribut tjetër, veçse “shok i të dyshuarit”.

/ Veritas/