
Forca policie, të shoqëruara nga një grup i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, u panë të hyjnë mesditën e sotme, 2 korrik, në ambientet e zyrave qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, e cila operon në sektorin e nxjerrjes së naftës në fushën e Marinzës.
Gjithashtu mësohet se janë lëshuar edhe 14 urdhër-arreste. Burime për Report TV thanë se 10 prej tyre janë ekzekutuar deri tani, kurse operacioni është në vijim, pasi të tjerat janë në proces.
Bëhet me dije se janë arrestuar CEO kinez i Bankers, Hongping Xiao dhe ish-CEO Leonidha Çobo, teksa veprimet hetimore janë ende aktive. Të njëjtat burime thanë se forcave të policisë iu është dashur të ndërhyjnë më forcë, pasi nuk u janë hapur dyert e kompanisë. Arrestimet erdhën pas aksion në kuadër të një dosjeje penale për pastrim parash dhe evazion fiskal. Mësohet se Gjykata e Fierit ka caktuar masa sigurie edhe për persona tjerë dhe aksioni është në proces.
Disa automjete luksoze me targa shqiptare dhe të huaja u panë të parkuara jashtë godinës, ndërsa nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht arsyeja e këtij kontrolli. Burime konfidenciale përmendin si shkak të mundshëm një borxh të konsiderueshëm që “Bankers” i ka shtetit shqiptar, konkretisht në lidhje me detyrime fiskale të papaguara, si edhe pastrim parash.
Kompania është përballur dhe më parë me akuza nga autoritetet tatimore dhe doganore për mospërmbushje të detyrimeve ligjore ndaj buxhetit të shtetit. Në të kaluarën, “Bankers Petroleum” është kritikuar gjithashtu për ndikimin negativ që aktiviteti i saj naftënxjerrës ka sjellë në mjedisin e zonës së Marinzës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme dhe shqetësim për komunitetin lokal.
Për momentin nuk ka ende një reagim zyrtar nga kompania apo institucionet shtetërore, ndërsa pritet që orët në vijim të hedhin më shumë dritë mbi natyrën dhe qëllimin e këtij aksioni. “Bankers Petroleum” është aktor kryesor në industrinë e naftës në Shqipëri. Prej vitesh ajo administrohet nga sipërmarrës kinezë, të cilët e blenë kompaninë nga investitorët kanadezë që e kishin themeluar atë.
Komente