Miliarderi ish-komunist çek, Andrej Babis, Lëvizja populiste ANO e të cilit fitoi zgjedhjet legjislative në muajin tetor, u riemërua sot kryeministër nga presidenti, Milos Zeman, në përpjekje për të formuar me social-demokratët e CSSD një koalicion të mbështetur jozyrtarisht nga komunistët.

Gjatë një ceremonie në Kështjellën e Pragës, transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni publik, Zeman i kërkoi Babis t’i paraqiste kabinetin e tij në kohën e duhur.

“Shpresoj për qeverinë tuaj që të marrë këtë herë votëbesimin e Dhomës së deputetëve”, shtoi presidenti, edhe ai ish-anëtar i partisë komuniste dhe i njohur për qëndrimet pro-ruse dhe pro-kineze.

Një ditë më parë, mijëra çekë protestuan në mbarë vendin, kundër qëllimit të Babis, 63 vjeç, për të formuar një qeveri të mbështetur nga komunistët e KSCM, parti nostalgjike e regjimit totalitar, e zhdukur që prej vitit 1989 dhe deri tani e përjashtuar nga pushteti.

Veritas.com.al/